Lidhje

Lu: Mosarrestimi i Balilit një dështim


Në Shqipëri ambasadori amerikan Donald Lu tha sot se mosarrestimi i Klement Balilit, i dyshuar si një prej trafikantëve më të fuqishëm të drogës është një dështim i policisë dhe prokurorisë. Këto komente ai i bëri në fjalën e tij në një aktivitet për rezultatet e operacionit Forca e Ligjit të ndërmarrë nga autoritetet për të goditur krimin e organizuar. Ai tha se gjatë kësaj kohe është bërë shumë, por se sukses do të quhej kur peshqit e mëdhenj të dënohen dhe të futen në burg.

Amb. Lu komenton për rastin Balili
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:02 0:00

Kur vjeshtën e kaluar ministria e Brendshme prezantoi nisjen e operacionit Forca e Ligjit, i cili ka si objektiv të dretpërdrejtë, goditjen e grupeve të organizuara kriminale, ambasadori Donald Lu, por dhe përfaqësuesë të tjerë ndërkombëtarë ofruan mbështetjen e tyre.

Sot pas tetë muajsh, ambasadori amerikan tha se është bërë shumë, ndërsa përmendi agazhimin e Shqipërisë në arrestimin në Turqi të trafikantit të madh të narkotikëve Met Kanani, e më pas goditjen e grupit të tij në Shqipëri, sekuestrimin e 613 kilogramëve kokainë në Portin e Durrësit, apo dhe proceset e nisura ndaj disa kryebashkiakëve si dhe hetimet ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish kryeprokurorit Adriatik Llalla. “Është shumë aktivitet për një periudhë të shkurtër kohe” u shpreh ai duke shtuar se megjithatë kërkohen “rezultatet konkrete, që peshqit e mëdhenj të ndiqen penalisht, të dënohen dhe të futen në burg. Ky do të ishte sukses”.

Nga ana tjetër ai e cilësoi një dështim mos arrestimin e Klement Balilit nga autoritetet shqiptare: “Balili është një bos i fuqishëm i krimit të organizuar me lidhje politike. Për dy vjet, qeveria, policia dhe prokurorët nuk kanë pasur aftësinë ose vullnetin që ta arrestojnë”.

Duke ju përgjigjur ambasadorit Lu, në fjalën e tij kryeministri Edi Rama tha se arrestimi i Balilit “është një domosdoshmëri dhe do të ishtë një sukses”, duke shtuar megjithatë se sipas tij kapja e personazheve të tillë të krimit, nuk është e lehtë: “Sot është në kërkim dhe patjetër që në bashkëpunim me partnerët, më herët se vonë, ai do të kapet, edhe pse nuk është e lehtë, siç tregojnë dhe shembujt, qoftë të Amerikës, qoftë të Italisë, qoftë të vendeve të tjera, kur bëhet fjalë për profile të kësaj natyre që kanë lidhje shumë të forta në territorin e vogël ku operojnë”.

Nga ana e tij ambasadori amerikan kërkoi që lufta ndaj krimit të organizuar të vijojë: “Askush nuk është mbi ligjin. I bëjmë thirrje Ministrit Xhafaj, policisë dhe prokurorëve që të vazhdojnë luftën kundër krimit të organizuar pa mëshirë”.

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj theksoi se bëhet fjalë për një luftë, në të cilën, nënvizoi ai, në fund do të jetë shteti që do të fitojë: “Lufta kundër krimit nuk është një gjë që fillon në mëngjes dhe mbaron në darkë dhe nuk është një shëtitje në bulevard. Është një sfidë që kërkon kohë, kërkon impenjim, kërkon sakrifica dhe është një sfidë, është një luftë që meriton që të kryhet, sepse është në interes të qytetarëve, në interes të vendit dhe ne jemi këtu për të demonstruar pikërisht për këtë gjë. Vendosmërinë tonë në këtë luftë për t’i shkuar deri në fund ballafaqimit me krimin dhe krimin e organizuar në veçanti”.

Zoti Xhafaj tha se përpjekjet e deritanishme kanë dhënë disa rezultate, duke veçuar, nxjerrjen, sipas tij, të vendit nga harta e kultivimit të marijuanës. Ndërsa duke ju referuar operacionit Forca e Ligjit, ai shpjegoi se janë goditur disa grupe të strukturuara kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore e disa të tjera janë në proces investigimi dhe hetimi. Janë të paktën 12 operacione kundër grupeve të trafikut të lëndëve narkotike, kontrabandimit të qënieve njerëzore dhe pastrimit të parave, ndërsa janë ndaluar e arrestuar 114 persona, që sipas policisë nuk janë vetëm anëtarë por dhe drejtues të grupeve kriminale, të cilave u janë sekuestruar mbi 10 milion euro.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG