Lidhje

Erdogan bën betimin për mandatin e ri presidencial


Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan të hënën bëri betimin për një mandat të pestë me fuqi të reja ekzekutive.

Ceremonia shënon kalimin në një presidencë të re ekzekutive me kompetenca të zgjeruara, që kritikët e kanë quajtur regjim autokrat.

Në fjalimin që mbajti zoti Erdogan në Pallatin Presidencial munguan udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian.

Ndërkaq të pranishëm nga vendet ballkanike ishin edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Presidenti Kosovës Hashim Thaçi, Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.

Pjesmarrës të tjerë ishin Presidenti i Venezuelës Nikolas Maduro, Kryeministri rus Dimitri Medvedev dhe Presidenti i Sudanit, Omar Hassan al-Bashir, i cili kërkohet për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.

Zoti Erdogan premtoi një Turqi më të fortë nën sistemin e ri presidencial.

64-vjeçari Erdogan tha se presidenca e re me fuqi ekzekutive është jetike për të nxitur rritjen ekonomike, për të garantuar sigurinë pas grushtit të të dështuar ushtarak të vitit 2016 dhe për t’u mbrojtur nga konfliktet përgjatë kufirit jugor me Sirinë dhe Irakun.

Në kabinetin e ri, Presidenti Erdogan emëroi dhëndrrin e tij, Berat Albayrak, si ministër të financave.

Në zgjedhjet e muajit të kaluar, sipas mediave turke, zoti Erdogan mori rreth 53 përqind të votave.

Muharrem Inca i Partisë Republikane Popullore doli në vendin e dytë me 31 përqind.

Një referendum i vitit 2017 solli ndryshime në sistemin politik të vendit, duke eliminuar postin e kryeministrit dhe duke i dhënë presidentit kompetencat për të shpërndarë parlamentin dhe emëruar ministrat dhe gjyqtarët.

Zgjedhjet u dënuan nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila konstatoi se kushtet për fushatë nuk ishin të barabarta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG