Lidhje

Korrupsioni, KiE: Përparim, por reformat të vijojnë


Grupi i Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit (GRECO), vlerëson përparimin e bërë nga Shqipëria në parandalimin e korrupsionit, ndërsa kërkon të ecet përpara me reformat dhe përmbushjen e plotë të rekomandimeve të bëra për vendin. Në një raport të bërë publik sot, GRECO konsideron si një hap të rëndësishëm miratimin e Kodit të sjelljes së deputetëtve shqiptarë, vlerëson Reformën në Drejtësi, por shprehet i keqardhur për vonesat në procesin e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve.

GRECO pranon përparimin e bërë nga Shqipëria në zbatimin e rekomandimeve të saj për të parandaluar korrupsionin në lidhje me parlamentarët, gjyqtarët dhe prokurorët, por gjithashtu bën thirrje për një sërë përmirësimesh dhe përfundimin e reformave të nisura, thekson Raporti sipas të cilit “Shqipëria deri më tani ka përmbushur plotësisht katër nga 10 rekomandimet e nxjerra në raportin e saj të vlerësimit në vitin 2014. Gjashtë rekomandimet e tjera janë zbatuar vetëm pjesërisht”.

Sipas GRECOS, miratimi në prill të këtij viti i Kodit të Sjelljes për Anëtarët e Parlamentit, i cili trajton çështje të tilla si konfliktet e interesit; aktivitetet shtesë; dhuratat; dhe kufizimet pas punësimit, “është një hap i rëndësishëm përpara. Konfliktet e interesit duhet të deklarohen nga deputetët kur ato lindin, ndërsa është përcaktuar gjithashtu dhe një procedurë për të siguruar që kontaktet e deputetëve me palët e treta gjatë procesit legjislativ të raportohen, regjistrohen dhe bëhen publike”, nënvizon Raporti. Megjithatë, GRECO shpreh keqardhjen “për mungesën e qartësisë në lidhje me zbatimin e këtyre rregullave dhe sanksioneve në rast të shkeljeve, të cilat nuk përmenden shprehimisht në tekstin e Kodit të Sjelljes dhe nënvizon nevojën për një mekanizëm zbatimi, duke përfshirë sanksionet, për të bërë që Kodit të jetë efektiv. Parlamenti – shton me tej Raporti - po planifikon hartojë udhëzime për të hedhur dritë mbi rregullat e përfshira në Kodin e Etikës, por ato ende duhet të miratohen. Ndërgjegjësimi dhe trajnimi i deputetëve për këto rregulla janë ende duke u përcaktuar”. “Një hap pozitiv” vlerësohet dhe fakti që periudha e kontrolleve të deklaratave të pasurisë së deputetëve është reduktuar dhe që ato publikohen në një faqe zyrtare.

Sa i përket Reformës në Drejtësi “GRECO përshëndet faktin që, si pjesë e paketës së reformës, është kufizuar roli i Presidentit të Republikës në emërimin formal të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, i përbërë nga një shumicë gjyqtarësh të zgjedhur nga kolegët e tyre. Zhvillim tjetër pozitiv, pasi reforma të ketë përfunduar, është – sipas Raportit - se funksionimi i administratës gjyqësore nuk duhet të jetë më përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë, por i Këshillit të Lartë Gjyqësor; dhe se Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të jetë përgjegjës për vendosjen e standardeve etike dhe monitorimin e tyre”.

Po ashtu “një hap tjetër pozitiv” vlerësohet dhe krijimi i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë së Lartë si autoritet përgjegjës për trajtimin e ankesave, hetimin e shkeljeve dhe fillimin e procedimeve disiplinore kundër të gjithë gjyqtarëve, megjithëse raporti vë në dukje se ai ende nuk është plotësuar me anëtarët e tij. “Nga ana tjetër, GRECO është i keqardhur për vonesat e vazhdueshme në vlerësimet periodike të gjyqtarëve”, thuhet në Raport.

Përsa i përket prokurorëve, raporti shënon përparim në kuadrin ligjor për vlerësimin e tyre, i cili tani përfshin më shumë kritere lidhur me integritetin dhe standardet etike, edhe pse Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili do të jetë përgjegjës për vlerësimin e prokurorëve, ende nuk është ngritur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG