Lidhje

Anketat, vlerësim negativ për samitin Trump-Putin


Presidenti Donald Trump vazhdon të mbrojë qëndrimin e tij në takimin e fundit të nivelit të lartë me presidentin rus Vladimir Putin. Ai tha të hënën se nuk hoqi dorë nga asnjë kërkesë ndaj Putinit në takimin e tyre javën e kaluar. Por sjellja e presidentit mori vlerësim negativ në sondazhin e fundit të gazetës Uashington Post dhe kanalit ABC News, i cili tregon se 50 për qind e amerikanëve nuk janë dakord me qëndrimin e presidentit Trump, krahasuar me 33 përqind të cilët u shprehën të kënaqur.

Ishte një moment që mund të mbetet i paharruar.

Presidenti Trump u pyet për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016 me presidentin Putin përkrah tij.

"Njerëzit e mi, Dan Coats mes tyre, erdhën dhe më thanë se mendojnë se është Rusia. Këtu kam Presidentin Putin, ai sapo tha se nuk është Rusia".

Trump përsëri mbrojti samitin në Twitter të hënën pas një jave kritikash nga demokratët si Nancy Pelosi.

"Presidenti Trump me sa duket dukej i frikësuar në praninë e Putinit. Për çfarë kishte frikë? Me çfarë po e shantazhon Presidenti Putin Presidentin Trump? "

Edhe republikanë si Jeff Flake e kritikuan presidentin.

"Ne kemi pranuar mitet dhe trillimet dhe pretendojmë se nuk ishte aq keq. Kjo qasje solli kapitullimin tonë në Helsinki".

Polemika është kapur në kopertinën e revistës Time Magazine me një pamje që tregon një fytyrë të dyzuar Trump-Putin.

I gjithë ky reagim negativ ndaj performancës së zotit Trump nxiti një deklaratë më të fortë nga presidenti mbi ndërhyrjen ruse.

"Ne do të ndalojmë dhe do të largojmë çdo përpjekje për të ndërhyrë në zgjedhjet tona", tha presidenti.

Amerikanët reaguan me shpejtësi.

"Putini është në një farë mënyre pothuajse si një gjeni i keq. Ai është shumë manipulues dhe e di ç’farë bën. Mendoj se Trumpi u manipulua", thotë një votues nga Nju Jorku.

“Mendoj se në fund të fundit, ai është një dështak”, thotë një votues nga Misisipi.

Trump mund të ketë dëmtuar veten politikisht, thotë analistja Elaine Kamarck.

"Mendoj se është një dëm politik afatgjatë, por më e rëndësishmja, ajo po dëmton rëndë presidencën e tij. Kjo ngre shumë pyetje serioze në lidhje me kompetencën apo integritetin e tij, dhe asnjera prej tyre nuk është diçka që mund të vihet në pikëpyetje për një president".

Por a do të lëkundë kjo bazën besnike të Trumpit? John Fortier është skeptik.

“Votuesit republikanë në përgjithësi janë me Donald Trumpin. Elita e partisë republikane është shumë e ndarë në mbështetjen për të por votuesit republikanë besojnë tek presidenti”.

Takimi Trump-Putin i është shtuar një liste të gjatë çështjesh që votuesit do të analizojnë para zgjedhjeve afatmesme të kongresit në nëntor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG