Lidhje

Tiranë: Ekspertët vlerësojnë ecurinë e reformës në drejtësi


Ekspertë të pavarur të legjislacionit shqiptar mendojnë se reforma në drejtësi ka hyrë në rrjedhën e vet dhe për realizimin e saj nuk duhet humbur më shumë kohë.

Prof.Dr. Altin Shegani nga Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Tiranës thotë se po të kishte një konsensus më të gjerë dhe një frymë më pozitive nga partitë politike mund të ishte fituar më shumë kohë, por problemet që dolën gjatë zbatimit të reformës ishin të pritshme për nga mënyra si erdhën ngjarjet.

Tiranë, ekspertët komentojnë për vetingun
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:22 0:00

“Nuk mund të kishte ekspert që të parashikonte që shifrat e shkarkimeve do të ishin këto. Matematika dhe askush nuk mund të parashikojë se sa njerëz do të largohen nga sistemi, por në kuadrin e hipotetikës teorike duhet të ishte parashikuar mekanizmi i zhbllokimit. Fakti që një vend është pa Gjykatë Kushtetuese është një gjë e patolerueshme. Unë nuk mendoj që duhet të legjitimojmë sakrilegje ndaj modelit të shtetit të së drejtës” - tha zoti Shegani.

Studiues të tjerë mendojnë se Shkolla e Magjistraturës nuk ka pse të shihet si burimi i vetëm i emërimeve në sistemin gjyqësor.

Prof.Dr. Jordan Daci nga Qendra Shqiptare për Shtetin e së Drejtës thotë se për të shmangur bllokimin e disa institucioneve mund të shfrytëzohen edhe rrugëdalje më të shpejta si konkurset e hapura, të cilat mund të sjellin më shumë prurje sasiore dhe cilësore profesionistësh.

“Duhet patjetër të kemi një konsensus të dytë po aq i madh e i gjithëpranuar sa ai i pari, dhe ngërçi mendoj se mund të kalohet shumë lehtë përmes ndryshimeve, të cilat do të bënin të mundur futjen në sistemin gjyqësor të prurjeve nga jashtë sistemit nëpërmjet një konursi, i cili mund të administrohet nga Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit” - tha zoti Daci.

Ekspertët besojnë se reformimi i drejtësisë ishte i domosdoshëm, sepse sistemi gjyqësor ka qenë i sëmurë. Vonesa në formimin e disa institucioneve do të ketë ndikim në proces. Vendi ka një nevojë urgjente për kijimin e KLP dhe KLGJ, thotë profesor Shegani.

“Një shtet pa gjykatë është si një organizëm pa zemër, mendoj unë. Sepse gjykata është garancia e balancimit të interesave të gjithë pushteteve në një shtet demokratik. Në të kundërt, unë nuk e kuptoj se si modeli mund të quhet shtet. Vakuumi mund të zgjatë edhe për një kohë të pacaktuar, por ngritja e KLGJ dhe KLP është hapi i parë i pritshëm, që do të përmirësonte e do t’i jepte pozitivitet vazhdimësisë së procesit” - tha zoti Shegani.

Të dy profesorët i bënë këto komente sot pas një konference të Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë mbi efektet e reformës në sistemin e drejtësisë, ku u diskutua mbi ecurinë e vetingut në gjyqësor.

Profesor Daci thotë se reforma në drejtësi është e vonuar dhe duhej kryer shumë kohë më parë.

Probleme, sipas tij, dalin në çdo reformë dhe ato duhen zgjidhur me durim si për shembull tema e shkollës së magjistraturës.

“Nuk mendoj se Shkolla e Magjistraturës duhet të jetë burim i vetëm për emërimet e reja. Kam menduar gjithmonë për një alternativë, ka qenë gjithnjë një alternativë edhe më parë, vetëm me ndryshimet e fundit u kufizua. Edhe nga pikëpamja kohore ne nuk do të arrijmë dot të prodhojmë gjyqtarë e prokurorë për nivelet e shkallës së parë, aq më pak për gjykatat e apeleve, për një periudhë 3-5 vjeçare, ndaj ne nuk do të jemi në gjendje ta plotësojmë boshllëkun e krijuar së fundi nga KPK vetëm me prurjet nga Shkolla e Magjistraturës” - tha zoti Daci.

Studiuesit pohojnë se vetingu mundej të ecte më shpejt, dhe se kandidatët duheshin kontrolluar jo vetëm nga pasuria, por edhe nga profesionalizmi. Palët politike, sipas tyre, duhet të dakordësoheshin për interesin e publikut, sepse reforma është një investim publik, madje nuk duhej kaluar nëreformë vetëm drejtësia, por edhe institucione të tjera pranë saj

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG