Lidhje

Sulmet e presidentit në Twitter largojnë vëmendjen nga ekonomia


Trump Tweet
Trump Tweet

Presidenti Donald Trump kohët e fundit është hedhur në fushatë për konkurrentët republikanë në zgjedhje, duke ngritur me të madhe forcimin e ekonomisë për të rritur shanset për fitore të kandidatëve të partisë së tij. Ndërkaq, presidenti ka vazhduar edhe sulmet përmes Twitterit lidhur me hetimet mbi Rusinë, ngritjen e murit në kufi dhe medias, të cilën ai e akuzon për qëndrim tendencioz ndaj tij. Republikanët shqetësohen se këto sulme po largojnë vëmendjen nga mesazhi ekonomik. Korrespondenti Jim Malone ka përgatitur materialin:

Gjatë një aktiviteti për fushatë në Florida, presidenti e vuri theksin tek rritja ekonomike dhe mbështetja që ka mes republikanëve:

“Jemi shumë mirë. Jam i gëzuar që edhe ju i keni punët mirë. Sapo dolën rezultatet e një ankete. I patë? Unë jam personi që ka gëzuar popullaritetin më të madh në historinë e Partisë Republikane. Ju besohet?”

Rritja ekonomike prej mbi 4% në tre-mujorin e fundit është fitore për presidentin, thotë ekonomisti Mark Hamrick:

“Nëse presidenti dhe anëtarë të tjerë të Partisë Republikane kanë arritur të sigurojnë, qoftë edhe përkohësisht këtë rritje ekonomike mbi nivelin afat-gjatë të 2%, mendoj se kjo përbën sukses”.

Por presidenti ka qenë shumë aktiv në Twitter, me akuza kundër hetimeve mbi Rusinë, ka kërcënuar se do të mbyllë qeverinë nëse nuk i miratohen fondet për murin në kufi dhe ka akuzuar median se përhap lajme të rreme.

“Çdo gjë e bëjnë të keqe, se janë lajme të rreme, janë të neveritshëm,” ka thënë presidenti.

Këto sulme në Twitter largojnë vëmendjen nga mesazhi kryesor thonë analistët:

“Prirja ka qenë që çfarëdo të thotë Trumpi, ajo kryeson në lajme. Ai është mjeshtër i Twitterit si mjet politik,” thotë Michael Cornfield, i cili jep mësim në Universitetin George Washington.

Sulmet e vazhdueshme ndaj procesit hetimor mbi Rusinë kanë shqetësuar demokratët, përfshirë udhëheqësin e demokratëve në Senat, Chuck Schumer.

“Shpresoj që kolegët e mi republikanë të kenë forcën t’i bëjnë qëndresë kësaj ndërhyrjeje nga presidenti pasi populli amerikan pret që ne të qeverisim, jo të bërtasim e të sulmojmë njëri-tjetrin gjithë ditën”.

Ekonomia e fortë mund të ndihmojë republikanët në nëntor.

Por stili qeverisës i Presidentit Trump do të jetë në qendër të fushatës zgjedhore, thotë analistja Elaine Kamarck:

“Presidenti është problem, nuk diskutohet. Me të gjithë që flas më thonë se ai përbën problem për të dyja palët”.

Siç njoftohet, presidenti është i irrituar që forcimi i ekonomisë nuk ka rezultuar në rritjen e popullaritetit të tij, thotë anketuesi Frank Newport:

“Presidenti Trump e ka ekonominë shumë mirë, por niveli i kënaqësisë nuk është aq i lartë sa mund të parashikohej. Nuk ka sjellë atë nivel popullariteti që ai do të donte”.

Presidenti është zotuar të bëjë fushatë intensive për zgjedhjet e nëntorit. Republikanët shpresojnë se ai do të përqëndrohet më shumë tek ekonomia dhe më pak tek përplasjet politike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG