Lidhje

Vlorë, 8 të vrarë brenda një familje


Mes tetë personave të cilët mbetën të vrarë sot pasdite në fshatin Resulaj të Selenicës në Vlorë, janë dhe dy fëmijë e tre gra. Të gjitha viktimat i përkasin të njejtës familje e cila kishte lidhje shumë të afërta farefisnore me Ridvan Zykajn, 24 vjeçarin i cili dyshohet të jetë autori i ngjarjes së rëndë. Ai ka qëlluar me breshëri kallashnikovi ndaj xhaxhait të babait, Demir Zykës dhe bashkëshortes së këtij të fundit, dy djemve të familjes Azemit dhe Besimit, si dhe ndaj bashkëshorteve të tyre, si dhe ndaj fëmijëve të Besimit, Ledionit, 6 vjeç dhe Sarës 17 vjeç.

Deri në mesnatë, nuk ka patur asnjë njoftim zyrtar për motivet e ngjarjes, e po ashtu dhe banorët e fshatit, kanë mbetur të habitur dhe disa prej tyre kanë mohuar që mes Ridvanit apo familjes së tij dhe kushërinjve të vrarë të ketë patur ndonjë konflikt, ndërkohë që ngjan se marrëdhëniet nuk duket megjithatë të kenë qenë fort të mira. Të paktën disa nga komunikimet në Facebook të Ridvan Zykës, lënë të kuptohet një gjë e tillë.

Prindërit e autorit të dyshuar janë shoqëruar në polici dhe janë marrë në pyetje, ndërkohë që forca të shumta nga rajoni dhe nga kryeqyteti, trupat e njësive speciale RENEA, FNSH dhe Delta, rrethuan një zonë të gjerë, duke përdorur dhe gjurmimin me anë të qenve të policies në kërkimet për arrestimin e të riut.

Policia e Vlorës kërkoi ndihmën e qytetarëve për vendndodhjen e autorit të krimit. Policia tha se "autori është i rrezikshëm dhe në rast konstatimi t'i shmagen përballjes më të por të telefonojnë forcat e rendit”.

Në mbrëmje në fshatin ku ndodhi krimi shkoi dhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu. Kërkimet në të gjithë zonën përreth kanë vijuar pa ndërprerje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG