Lidhje

A munden valët zanore të ndihmojnë për mjekimet e Alzaimerit?


Membrana filtruese e enëve të gjakut që furnizojnë trurin, parandalon depërtimin në sistemin e qarkullimit të gjakut në tru, të mikrobeve dhe lëndëve të tjera të dëmshme. Por në të njëjtën kohë ajo pengon edhe ilaçet kundër Alzaimerit, tumorëve të trurit dhe sëmundjeve të tjera të kryejnë funksionet e tyre. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Faith Lapidus njofton se si studiuesit po përpiqen të gjejnë një mënyrë për të anashkaluar barrierën.

Provat me minjtë në Kolegjin Imperial në Londër, kanë treguar se valët zanore me frekuencë të lartë, që përçohen përmes një lëndë viskoze të ngjashme me atë që përdoret për sonogramën e grave shtatzëna, mund të depërtojë përmes mekanizimit filtrues të enëve të gjakut në tru.

"Mekanizmi filtrues i enëve të gjakur në tru është si një lloj roje që lejon vetëm substancat për të cilat ka nevojë truri, ndërsa patogjenët i frenon dhe nuk i lejon të kalojnë”.

Studiuesit injektojnë fllucka të vogla ajri në enët e gjakut dhe i godasin ato me valë zanore me preçizion të lartë, duke i detyruar të dridhen, në këtë mënyrë qelizat në muret e enëve të gjakut tkurren dhe lejojnë depërtimin e ilaçeve në tru.

Një studim i ngjashëm po bëhet në Qendrën për Shkencat Shëndetësore Sunnybrook në Toronto. Pacienti me alzajmer, Rick Karr është pjesë e një prove klinike që synon të zbulojë nëse valët zanore mund të krijojnë një të çarë të përkohëshme në barrierën mes gjakut dhe trurit.

Eksperimenti me zotin Karr dhe pesë pacientë të tjerë me alzajmer tregon se barriera krijoi një hapësirë, lejoi një substancë të padëmshme të depërtojë dhe u mbyll përsëri.

"U deshën vetëm dy trajtime ultrazanore për të treguar se barriera mund të hapej. Është entuziasmuese dhe jam shumë e emocionuar sepse kjo metodë hap një botë të re mundësish. Por duhet të hedhim hapa të matur, të sigurohemi që është një metodë e sigurt”.

Sapo një MRI përcakton pikën e duhur, studiuesit i drejtojnë me preçizion valët ultrazanore. Inovacione të mëtejshme do ta bëjnë edhe më të saktë këtë praktikë.

"Mund të krijojmë rrjete komplekse me mostra me shumë rrezatime, mund t’i bëjmë të vogla dhe të mëdha. Mund ta drejtojmë rrezatimin në çdo pjesë të trurit. Pra teknologjia është aq e avancuar saqë ne mund ta dërgojmë ilaçin në çdo zonë të trurit, nëse e ndërtojmë depërtuesin ashtu siç duhet”.

Mundësia për terapi është ende larg, por ndërsa sëmundje si alzajmeri bëhen një barrë përherë e më e rëndë për shumë shoqëri në gjithë botën, nevoja për një zgjidhje po i shtyn shkencëtarët që të eksplorojnë çdo alternativë të mundshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG