Lidhje

Ish-drejtues të zbulimit amerikan kritikojnë presidentin


Dymbëdhjetë ish-zyrtarë të lartë të zbulimit lëshuan një deklaratë duke kritikuar ato që e cilësojnë "komente dhe veprime të papërshtatshme e të pashembullta nga Shtëpia e Bardhë, lidhur me heqjen e çertifikatës së sigurisë së John Brennan-it".

Deklarata vjen si reagim ndaj vendimit të marrë të mërkurën nga Presidenti Donald Trump, për t’i hequr ish-drejtorit të CIA-s zotit Brennan, çertifikatën e sigurisë.

"Veprimi i presidentit në lidhje me John Brennan dhe kërcënimet për veprime të ngjashme kundër ish-zyrtarëve të tjerë, nuk kanë të bëjë me atë se kush duhet dhe nuk duhet të mbajë çertifikatë sigurie. Gjithçka ka të bëjë me një përpjekje për të mbytur fjalën e lirë", thuhet në deklaratën e publikuar të enjten vonë.

Deklarata u nënshkrua nga gjashtë ish-drejtorë të CIA-s, pesë ish-zëvendësdrejtorë të agjencisë dhe një ish-drejtor i Shërbimit Kombëtar të zbulimit.

Presidenti Donald Trump ka thënë se John Brennan ka mbjellë “përçarje dhe kaos” për administratën e tij tek njoftoi vendimin për t’i pezulluar çertifikatën e sigurisë ish-drejtorit të CIA-s. Zoti Brennan e pati quajtur “asgjë më pak se tradhëti” daljen e Presidentit Trump në një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin rus Vladimir Putin.

Më parë një ish-admiral i Marinës amerikane, i cili pati udhëhequr operacionin për vrasjen e Osama bin Ladenit, sfidoi presidentin Trump duke i kërkuar t’ia heqë çertifikatën e tij të sigurisë.

Në një letër të hapur drejtuar zotit Trump publikuar në gazetën “ The Washington Post”, admirali në pension William McRaven shkruante se do ta konsideronte veprimin si "nder".

"Nëpërmjet veprimeve tuaja, na keni turpëruar në sytë e fëmijëve tanë, në skenën botërore dhe më e keqja, na keni ndarë si komb", thuhej ndër të tjera në letren e hapur të ish-ushtarakut të lartë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG