Lidhje

Urat në Shqipëri, ARRSH: S’ka vend për panik


Në Shqipëri, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) deklaroi sot se “nuk ka vend për panik, dhe as për alarm” lidhur me gjendjen e urave në Shqipëri. Pas ngjarjes së rëndë në Xhenova të Italisë, edhe në Shqipëri u hap një debat i gjerë lidhur me gjendjen e urave në vend. Por drejtori i ARSH-së, Afrim Qendro shpjegoi se “nuk ka asnjë emergjencë. Ka një kontroll periodik për të gjitha urat dhe kemi një ndërhyrje të vazhdueshme përmes mirëmbajtjes, kur shfaqen probleme. Kemi ndërhyrë në vitet e fundit në 25 ura”, tha ai, ndërsa sqaroi se autoritetet kanë hapur një garë për kontraktimin e një kompanie e cila do të bëjë vlerësimin për të paktën 8 ura që konsiderohen më problematiket e që kërkojnë ndërhyrje:

Ura e Leklit në aksin Tepelenë Përmet, e ndërtuar nga italianët në vitin 1925 me konstruksion metalik

Ura e Dragotit me konstruksion metalik, e ndërtuar në 1935

Ura e Vorës, pranë Tiranës

Ura e Tapizës në pjesën dalja e Kamzës Fushë Krujë, e ndërtuar në vitet ’70.

Ura e Zemblakut, mbi lumin Devoll në zonën e Korçës

Rikonstruksioni i Urës së Kaludhit në zonën e Përmetit

Ura në diznivel në Bushnesh, pjesë e aksit Milot Thumanë

Ura lidhëse e segmentit Levan-Tepelenë, dhe Dragot-Përmet

Sipas zotit Qendro, brenda dy javësh pritet të shpallet fituesi dhe të lidhet kontrata, në mënyrë që vitin e ardhshëm, në bazë të vlerësimeve, të përcaktohen në buxhet financimet e nevojshme.

Në Shqipëri janë afro 1200 ura në të gjithë vendin. Drejtori i ARRSH-së theksoi se ndër problemet kryesore janë ndërhyrjet në basenet e lumenjve që sjellin gërryerjen e bazamenteve ujore, si dhe mosrespektimi nga automjetet e rënda të industrive të naftës, mineriave dhe ndërtimit, të peshës së lejuar për qarkullimin mbi ura, sipas tabelave përkatëse.

Zoti Qendro shpjegoi gjithashtu se është vendosur ngritja e një grupi pune që do të bëjë një inspektim të të gjithë urave të vendit, duke qenë se një pjesë e tyre, me ndarjen territoriale, u kanë kaluar për administrim pushtetit lokal “i cili nuk ka as kapcitetet dhe as eksperiencën e duhur”, theksoi drejtori i ARSH-së.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG