Lidhje

Tiranë: Kuvendi rinis punimet pa praninë e opozitës


Seanca e re parlamentare nisi sot me mungesën e deputetëve të opozitës, ndërsa shumica socialiste shprehu edhe një tjetër nga një mbledhje e hershme në mëngjes vendosmërinë për të ecur përpara me planet e veta. Vëzhguesit pohojnë që deri tani ende nuk ka ndonjë shenjë për mirëkuptim mbi cështje themelore, që lidhen me reformën në drejtësi. Por deri tani partitë politike nuk po tolerojnë asgjë nga pozicionet dhe interesat e tyre të ngushta.

Shqipëri: Parlamenti rinis punimet
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:57 0:00

“Ende sot nuk kemi një platformë nga maxhoranca për dialog me oozitën. Po ashtu nuk kemi shenja nga opozita për një marrëveshje historike në funksion të reformave me maxhorancë. Për pasojë ne do të ndjekin traditën, e cila është që në vite elektorale ka konfliktualitet dhe tensionim të situatës. Vitin tjetër kemi zgjedhje dhe sesioni parlamentar do të përdoret nga partitë për një retorikë shumë të ashpër, protesta dhe denigrim të kundërshtarit politik dhe refuzim të çdo oferte nga kundërshtarët politikë” - tha dr. Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit të Studimeve Politike.

Krahas politikës konfliktuale, Shqipëria po kalon një situatë kritike edhe sa i takon rendit publik dhe sigurisë. Vëzhguesit pohojnë se gjendja është delikate me shumë viktima dhe pak krime të zbardhura.

“Vetëm gjatë dy muajve të fundit kemi më shumë se 5 viktima nga ngjarjet kriminale, po ashtu disa automjete të djegura, dy persona të zhdukur, një shpërthim me tritol. Vetëm gjatë javës së fundit kanë ndodhur dy sulme të paprecedenta ndaj njerëzve të medias; në rastin e parë u sulmua me armë automatike banesa e një gazetare shumë të njohur, Klodiana Lala, dhe në rastin e dytë një punonjës i medias u kërcënua në mesin e ditës me një armë drejtuar në fytyrë” - tha Armand Bajrami, reporter dhe analist i kronikës kriminale.

Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, dr. Afrim Krasniqi, thotë se sesioni i ri parlamentar do të duhej të niste normalisht me përmbushjen e rekomandimeve të Bashkimin Europian derisa të merret një vendim pozitiv për Shqipërinë. Sfida më e rëndësishme për Shqipërinë dhe gjithë faktorët e saj, sipas tij, mbetet zbatimi i reformës në drejtësi.

“Nëse faktorët politikë do të përshëndesin këtë proces, për të cilin shenjat deri tani janë negative, atëherë të gjitha strukturat e reja të drejtësisë mund të krijohen deri në pranverën e ardhshme. Ky do të ishte lajmi më i mirë për Shqipërinë. Nëse deri në pranverë ne nuk kemi KLGJ, KLP, SPAK, BKH, atëherë ky do të jetë një minus i madh për Shqipërinë dhe do të penalizohet për këtë gjë” - tha zoti Krasniqi.

Ndërsa politika nuk e ka përqëndruar vëmendjen te reforma në drejtësi, nga ana tjetër i gjithë sistemi gjyqësor, prokurorë e gjyqtarë, e kanë mendjen shumë më tepër te procesi i vetingut, nëse do ta kalojë provimin apo jo, duke zvarritur detyrat e tyre me hetimin e krimeve dhe dënimin e autorëve. Reporteri i njohur dhe analisti i kronikës kriminale, Armand Bajrami, thotë se gjendja e sistemit gjyqësor është kaotike me hapësirat që po krijohen, ndaj vetingu duhet kryer sa më parë, në mënyrë që gjithë prokurorët e gjyqtarët t’i kthehen punës.

“Për më tepër, situata nuk duket shumë premtuese, sepse nga procesi i vetingut janë futur në ngërç institucionet kryesore të sistemit të drejtësisë. Kemi një Gjykatë Kushtetuese joekzistente, një Gjykatë të Lartë thuajse të bllokuar. Në vijëminë e procesit të vetingut pritet, siç ka paralajmëruar drejtuesi i ILDKPI-së, që vendi ka për të mbetur edhe pa gjykata apeli. Kjo krijon një klimë të favorshme për krimin, që ndjehet i pacënuar dhe sikur ndëshkimi i tyre është i largët” -tha zoti Bajrami.

Kështu edhe këtë sesion të ri parlamentar opinioni publik i ka sytë nga politika dhe nga policia, me shpresën se dicka do të përmirësohet në jetën e tyre ekonomike, shoqërore dhe shëndetësore, ndonëse jo pak njerëz pohojnë se nuk presin shumë prej tyre dhe po largohen ose po përgatiten të largohen nga vendi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG