Lidhje

Tiranë: Sekuestrohen 5 milionë euro pasuri kriminale


Policia shqiptare sekuestroi sot 5 milionë euro asete të një grupi kriminal të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, si pjesë e operacionit “Vazhdimi”.

Pasuritë e sekuestruara u përkitnin të arrestuarve Arjan Ndoci dhe Julian Deblini, që u kapën në flagrancë në prill 2018 nga policia spanjolle dhe DEA e EUROPOL.

Ata u akuzuan për trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, pasi u kapën me një mijë kilogramë kokainë, e cila dyshohet se vinte nga Kolumbia si dhe të një shume prej 1 milionë e 550 mijë euro cash.

Ndoci dhe Deblini, njoftoi policia, janë anëtarë të një grupi kriminal që zhvillonte prej kohësh trafik të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikes Latine drejt Europës.

Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda vendosi sekuestro për llogaritë e tyre bankare dhe pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, së bashku me familjarët e tyre.

Task Forca Speciale e Policisë së Shtetit sekuestroi llogaritë e tyre në 3 banka me një sasi të konsiderueshme eurosh, aksionet e një shoqërie tregtare në fushën e ndërtimit, një njësi banimi në pallat, 8 apartamente 905 metra katror, dy dyqane 280.4 metra katror, 4 garazhe automjetesh 60 metra katror dhe 3 automjete; sekuestro gjithsej 5 milionë euro.

Policia shqiptare bashkëpunoi në këtë operacion me agjencitë amerikane e spanjolle dhe po vijojnë punën për kapjen e autorëve të tjerë në këtë veprimtari kriminale si dhe për zbulimin e pasurive të tjera të krimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG