Lidhje

Takim për Sirinë mes Rusisë, Turqisë dhe Iranit


Udhëheqësit e Rusisë, Turqisë dhe Iranit takohen sot për të diskutuar fatin e provincës Idlib në Siri – zona e fundit e kontrolluar nga rebelët në atë vend. Ka shqetësime se forcat siriane dhe ruse janë gati të ndërmarrin një offensive madhore – e cila ka të ngjarë të nxisë një katastrofë humanitare dhe të fillojë një konfrontim me rebelët e mbështetur nga Turqia.

Një çantë plastike, një gotë letre dhe disa garza; një maskë e improvizuar gazi që do të japë pak mbrojtje nga një sulm kimik – janë këto përpjekjet e dëshpëruara të një babai për të mbrojtur fëmijët e tij nga një sulm i pashmangshëm…

“Rusia po pretendon se terroristët janë pas sulmeve, por e gjithë bota e di se Rusia dhe Bashari do të na godasin me armë kimike.”

Në shtëpitë aty pranë, civilët po hapin transhe. Bombat po bien tashmë në Idlib, me avionët rusë që vunë në shënjestër këtë javë ato që ata i quajnë enklava të terroristëve.

2.9 milionë njerëz jetojnë në provincën e Idlibit, qëndresa e fundit e forcave rebele të mbështetura nga Turqia dhe grupet rivale anti-Assad. Të gjitha këto janë pjesë e strategjisë afatgjatë të Sirisë dhe Rusisë thotë analisti, Kyle Orton.

“Ata i shtynë të gjithë në Idlib në mënyrë që kur të vinte fundi, të mund të ndërmerrnin, në gjuhën e luftës, një ofensivë kundër terrorit. Objektivi i tyre megjithatë është popullata civile që u ngrit kundër Assadit shtatë vite më parë. Synimi është t’i jepet fund rebelimit dhe të rivendoset kontrolli në të gjithë vendin.”

Kombet e Bashkuara paralajmërojnë për një katastrofë të pashmangshme humanitare.

“U bëj thirrje presidentit Putin dhe presidentit Erdogan të bisedojnë dhe të shkojnë përtej diskutimeve teknike për të gjetur një zgjidhje.”

Turqia ka shtuar praninë e saj ushtarake në Idlib dhe përgjatë kufirit sirian.

“Situata sjell këtë konfrontim pasi rusët kanë qënë në gjendje të kenë deri tani aleatë apo marrëdhënie të mira me Iranin dhe Assadin në Damask, me Izraelin dhe me Turqinë. Tani atyre u duhet të zgjedhin mes dy partnerëve – Turqisë nga njëra anë dhe Assadit e Iranit nga ana tjetër. Ata po përpiqen të veprojnë me finesë duke krijuar një marrëveshje që ia dorëzon provincën Assadit dhe Iranit pa konflikt.”

Nëse presidenti Erdogan do ta pranojë një marrëveshje të tillë kjo mbetet për t’u parë.

“Nëse Turqia mund të jetë e sigurtë se PKK nuk do të vijë në Idlib, atëherë mund ta bëjë këtë. ka një shans se do ta bënin këtë. Dhe nëse ata nuk do të mbyteshin me refugjatë do ta bënin atë. Problemi është se irani dhe regjimi sirian kanë filluar të stërvisin PKK-në dhe po reklamojnë faktin se po hyjnë me trupat e tyre”, thotë Kyle Orton.

Orton thotë se mosveprimi i Perëndimit i ka lënë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj jashtë përcaktimit të fatit të Idlibit.

Presidenti Donald Trump thotë se bota po vëzhgon dhe paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara – sipas fjalëve të tij – do të nervozohen shumë nëse ndodh një masakër.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG