Lidhje

Rivlerësimi, rrëzohet Prokurori i Apelit Bujar Hoti


Prokurori i Apelit të Durrësit Bujar Hoti, u shkarkua sot nga detyra, pas vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK). Vendimi ishte thuajse i pritshëm, duke qenë se gjatë seancës dëgjimore javën e shkuar, u ngritën dyshime të shumta lidhur me pasuritë e deklaruara prej tij. Ndonëse Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të pasurive të zyrtarëve të lartë, kishte dhënë një vlerësim pozitiv, hetimi i pavarur ië KPK-ës, zbuloi parregullsi dhe mospërputhje mes vlerës së pasurive dhe burime financiare të Hotit dhe bashkëshortes së tij. Dyshime të përforcuara edhe nga përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Hoti kishte kandiduar për një vend në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, organ i cili, po ashtu si dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, nuk do të mund të ngrihet, për shkak të rrëzimit të kandidatëve gjatë procesit të rivlerësimit. Për tre vendet nga prokuroritë e Shkallës së parë janë kualifikuar 5 prokurorë, nga të cilët dy janë nga rrethet, duke plotësuar kështu kriterin ligjor. Ndërsa për kandidatët nga Prokuroria e Përgjithshme, për 1 post në KLP, janë dy prokurorë që kanë kaluar testin. Por ngërçi, lidhet me dy anëtarët që do të duhet të përfaqësojnë Prokuroritë e Apelit. Deri më tani është konfirmuar vetëm Arben Dollapaj, nga Apeli i Shkodrës. Kolegia e tij, po nga ky institucion, Besa Nikëhasani, është rrëzuar, sikundër dhe Luan Kaloci nga Apeli i Tiranës, e sot prokurori Hoti. Në pritje të rivlerësimit dhe të dy kandidatëve të tjerë për në KLP, Prokuroria e Përgjithshme do të duhet të rihapë garën për një vend, nga kandidatët që vijnë nga Prokuroritë e Apelit, siç ka vepruar për një situatë të ngjashme dhe Gjykata e Lartë, po për një vend për në KLGJ, nga kandidatët e Gjykatave të Apelit. Javën e shkuar, u ofruan dy kandidatë të cilët do të duhet t’I nënshtrohen rivlerësimit.

Pamundësia për të ngritur KLGJ-ën do të shtyjë në kohë zgjidhjen e ngërcit në Gjykatën e Lartë. Ndërsa mungesa e KLP-ës do të zvarrisë më tej ngritjen e Byrosë kombëtare të hetimit dhe Prokurorisë antikorrupsion. Nisja e një procesi të ri për kandidatët e tjerë që do të hyjnë në garë për të plotësuar anëtarët e të dy institucioneve kërkon të paktën tre muaj vetëm për rivlerësimin, pa llogaritur procedurat e tjera.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG