Lidhje

Një vështrim i zgjedhjeve të mesit të mandatit


The Face of Congress Graphic
The Face of Congress Graphic

Në Shtetet e Bashkuara pas dy muajsh mbahen zgjedhjet e mesit të mandatit për në Kongres, ku votuesit do të shprehin gjykimin e tyre për presidencën, shpesh të debatueshme, të Donald Trumpit. Në nëntor vihet në provë si Senati, edhe Dhoma e Përfaqësuesve, por rezultati i zgjedhjeve të mesit të mandatit mund të ketë gjithashtu ndikim tek axhenda e Presidentit Trump dhe në dy vitet e ardhshme të presidencës së tij.

Ndërsa tema fokale në zgjedhjet e nëntorit ka për të qenë presidenca e tij, Presidenti Donald Trump po bëhet përherë e më tepër një forcë luftarake e fushatës.

“Na duhen republikanët në Kongres. Partia demokrate sot është peng i elementëve të majtë, që kanë urrejtje, i turmave të zemëruara, radikalëve, i elementëve që i rezistojnë ndryshimit dhe aleatëve të tyre në shtypin e lajmeve të rreme,”- tha Presidenti.

Trump i ka varur shpresat tek përkrahësit e tij, si minatori Kevin Abbott:

“Unë mendoj sikurse Trump. Unë besoj që në se njerëzit nuk e bllokojnë, ai mund të bëjë gjëra të shkëlqyera. Tashmë ai ka shënuar kaq shumë arritje.”

Por këto dy vite të mandatit të zotit Trump kanë shkaktuar zemërim tek demokratët. Ata janë të vendosur ta rimarrin kontrollin e Kongresit në nëntor, për ta bllokuar axhendën e presidentit, përfshirë thirrjen e tij për shkurtimin e taksave dhe ndërtimin e murit me Meksikën.

Në mesin e atyre që organizojnë opozitën, është Senatori Bernie Sanders:

“Njerëzit po rezistojnë, ata janë duke e kundërshtuar drejtimin e tij dhe së bashku do ta transformojnë vendin politikisht dhe ekonomikisht,”- tha zoti Sanders.

Demokratët kanë historinë në anën e tyre, thotë ekspertja e Universitetit George Washington, Lara Brown.

“Kur i hedhim një vështrim situatës, shohim si po merr formë një fushatë elektorale e mesit të mandatit mjaft tipike, pra, sikurse historikisht, partia e Presidentit nuk po paraqitet mirë. Deri në një farë mase, vendi i sheh zgjedhjet e mesit të mandatit si provë për drejtimin e Presidentit,”- thotë ekspertja.

Në se demokratët marrin kontrollin e njërës, apo të dyja dhomave të Kongresit në nëntor, Presidentit Trump mund t’i hapen probleme, thotë

Analisti Bill Galston:

“Së pari, nuk do të kishte më ligje të miratuara vetëm nga republikanët.

Së dyti, demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve do të kontrollonin mekanizmat e mbikqyrjes, që mbi të gjitha, është një prej përgjegjësive kryesore të Kongresit."

Edhe aleatët e zotit Trump, i shohin zgjedhjet si referendum për Presidentin, përfshirë ish këshilltarin Steve Bannon:

“Votimet këtë herë janë me shumë rëndësi. Nuk ka si të jetë më e qartë. Në se ne e ruajmë kontrollin e Kongresit, programi i Presidentit ka për të vazhduar. Në se jo, atëhere Nancy Pelosi do të përpiqet ta zhbëjë dhe bllokojë programin e tij,”- tha zoti Bannon.

Trump është tema kryesore për të dyja partitë në fushatën për zgjedhjet e mesit të mandatit, thotë Frank Newport, i firmës anketuese “Gallup”.

“Unë mendoj se kandidatët republikanë do të kenë në qendër të fushatës Presidentin. Disa prej tyre do të thonë: votoni për mua, se në se demokratët do të marrin kontrollin e Kongresit, ata do të përpiqen ta shkarkojnë Presidentin. Ndërsa demokratët do të thonë: votoni për ne, se ne do t’u kundërvihemi politikave të Trumpit. Pra presidenti ka për të qenë një figurë qendrore në zgjedhje”.

Demokratët shpresojnë të fitojnë një numër të mjaftueshëm vendesh, për të siguruar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa republikanët parapëlqejnë ta ruajnë shumicën e vogël në Senat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG