Lidhje

Turqi: Banka Qendrore rrit ndjeshëm normën e interesit


Banka Qendrore e Turqisë rriti të enjten normën e interesit në një vlerë të majme, me 6.25 për qind, rritja më e madhe e bërë ndonjëherë gjatë 15 viteve në pushtet të presidentit Tayyip Erdogan. Kjo me qëllimin për të forcuar lirën turke dhe ndoshta lehtësuar shqetësimet e investitorëve mbi ndikimin e zotit Erdogan në politikën monetare.

Vendimi erdhi megjithëse presidenti Erdogan e përsëriti kundërshtimin e tij ndaj normave të larta të interesiti më herët gjatë ditës së enjte, duke thënë se inflacioni i lartë ishte rezultat i hapave të gabuara të Bankës Qendrore.

Kjo e fundit tha se megjithatë ekziston ende një rrezik potencial lidhur me perspektivën e inflacionit nisur nga ajo që njihet si “përkeqësim në sjelljen e çmimeve” pavarësisht kushteve edhe më të dobëta të kërkesës së brendshme.

"Prandaj, banka vendosi të zbatojë një politikë shtrëngimi të fortë monetar, për të mbështetur stabilitetin e çmimeve" thuhej në deklaratën e saj.

Pak përpara se banka të njoftonte vendimin mbi normat, presidenti Tayyip Erdogan e kritikoi ashpër Bankën Qendrore të Turqisë për marrjen e "hapave të gabuar" lidhur me inflacionin dhe përsëriti kundërshtimin e tij ndaj normave të larta të interesit.

"Nëse thoni se inflacioni është shkaku dhe normat e interesit janë pasoja, nuk e kuptoni këtë punë", tha zoti Erdogan, duke shtuar se ai nuk e kishte parë qoftë dhe një herë bankën, të bënte një parashikim të saktë të inflacionit.

Lira, ra më shumë se 2.5 për qind pas komenteve të presidentit Erdogan, më shumë se 6.5 lira krahasuar me dollarin amerikan.

Zoti Erdogan, i cili e sheh zhvlerësimin e lirës si një luftë ekonomike, tha se monedha po përjeton "paqëndrueshmëri të rreme" dhe se problemet e fundit të Turqisë janë rezultat i manipulimit.

Fitorja në zgjedhjet e qershorit, të cilat i dhanë zotit Erdogan fuqi të reja presidenciale, ushqyen shqetësimet për marrjen nga ana e tij të më shumë përgjegjësive lidhur me ekonominë dhe politikën monetare të vendit.

Në fjalimin e tij të enjten presidenti turk kritikoi gjithashtu bankat private, duke thënë se disa prej tyre kishin rritur normat e interesit deri në 50 për qind, më shumë se dyfishi i normës bazë të Bankës Qendrore prej 17.75 për qind.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG