Lidhje

Kosovë: Rasti 'veteranët' vazhdon të nxisë reagime e zemërim


Pamje të hyrjes së trupave të UÇK-së në Prizren më 15 qershor 1999

Dy ditë pasi që prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti aktakuzë kundër 12 personave nën dyshimet për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në rastin e njohur si "veteranët", një listë e atyre që janë cilësuar si "veteranë të rremë" nxiti zemërim dhe reagime të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lista është pjesë e akuzës ndaj 12 personave që u ngarkuan të premten, përfshirë edhe ish komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku, i cili pas luftës drejtoi për një kohë edhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe shërbeu edhe si kryeministër i vendit.

Zoti Çeku ishte kryesues i Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve. Akuza ka të bëjë me dyshimet se listat e veteranëve përfitues të pensioneve është fryrë me emra të njerëzve që nuk ishin pjesë e luftës.

Por, në listën e publikuar nga mediet janë gjetur emra luftëtarësh të vjetër të cilët reaguan me zemërim të hënën.

Përfaqësuesit e veteranëve të luftës së Zonës Operative të Dukagjinit, që përfshinë Kosovën perëndimore, thanë se "paraqitja në disa media e veteranëve të luftës, që sakrifikuan më së shumti për lirinë tonë, si “veteran mashtrues”, përpos që është manipulim me qytetarët, është ofendimi më i rëndë për të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët me aktivitetin e tyre, mundësuan krijimin e shtetit demokratik dhe lirinë e shprehjes. Jemi shokuar, kur kemi parë që informacione të tilla, të supozuara e fabrikuara, shndërroheshin në shifra se gjoja luftëtarët e paskan dëmtuar buxhetin e shtetit".

Në reagim thuhet se tërë kjo dëshmon se "kjo aktakuzë dhe mënyra e paraqitjes së saj në opinion është vetëm një cirk, të cilit do t’i përgjigjemi me mijëra padi, si për ish prokurorin, ashtu edhe për disa media që lënduan ndjenjat tona dhe luajtën me dinjitetin e integritetin tonë si luftëtarë".

Edhe shoqata të tjera të veteranëve reaguan duke kërkuar "korrigjimin e gabimeve" sa më parë që është e mundur.

Ndërkohë, prokurori i Shtetit, nëpërmjet një komunikate tha se "gjatë fazës së grumbullimit të informacioneve si dhe gjatë hetimeve që kanë zgjatur për një vit e gjysmë, janë shqyrtuar mbi 80 mijë aplikacione, dhe nëse eventualisht ndonjë veteran luftëtar i UÇK-së, është dëmtuar me përfshirjen e emrit të tij nga Prokuroria në listën e përfituesve të kundërligjshëm, atëherë do të bëjmë kërkesë që emrat e tyre të tërhiqen si përfitues të kundërligjshëm dhe do t'i propozohet Gjykatës, që në bazë të dokumentacionit të rishikuar që ndaj tyre të mos zbatohet masa e përkohshme e ndalimit të pagesës së pensionit personal të veteranit luftëtar."

Sipas, prokurorisë, ligji për veteranët e luftës, parasheh që "veteranët e UÇK-së, të cilët janë të punësuar në sektorin publik apo privat nuk kanë të drejtë të përfitimit pasuror, gjithashtu edhe personave të cilët janë në kategorinë; pjesëtar i UÇK-së, ose në kategorinë; pjesëmarrës i luftës, me Ligj nuk u takon e drejta për pension personal të veteranit luftëtar, dhe kjo ka qenë arsye pse disa nga ta janë përfshirë në aktakuzë si përfitues të kundërligjshëm".

Në njoftim thuhet se në lisat ishin fillimisht emrat e 19 mijë e 60 përfituesve, ndërsa në fund të hetimeve dolën 20 mijë e 238 përfitues të paligjshëm.

"Kjo aktakuzë e ushtruar nga Prokurori i Shtetit, nuk ka të bëjë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si dhe, me vlerat e saj por është aktakuzë e paraqitur kundër zyrtarëve që kanë vepruar në kuadër të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranit të UÇK-së... Qëllimi kësaj procedure nuk është vetëm ndëshkimi i kryerësve të kësaj vepre penale, por, edhe mbrojtja e vlerave sublime të UÇK-së, angazhimi dhe kontributi i tyre i çmuar në luftën çlirimtare të Kosovës, që ishte faktor vendimtar për lirinë dhe pavarësinë e popullit të Kosovës, si dhe kthimin e besimit në vlerat demokratike", thuhet mes tjerash në njoftimin e prokurorit të Shtetit.

Ndaj publikimit të listave reagoi edhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Zhdukur dhe Peticione në parlamentin e Kosovës. Në një komunikatë të këtij komisioni thuhet se "me këtë janë shkelur të drejtat e njeriut, të drejtat e privatësisë, si dhe është cenuar prezumimi i pafajësisë duke u bërë gjykim publik përmes mediave ndaj veteranëve. Andaj, duke e parë se procesi është akoma në fillim të shqyrtimit nga organet e drejtësisë, reagojmë me shqetësim të thellë para opinionit publik".

​Çështja e listave të veteranëve të luftës u ringrit pasi që ditë më parë prokurori i Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, Elez Blakaj, që po e trajtonte këtë çështje, dha dorëheqje duke akuzuar kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi për ndërhyrje dhe përpjekje për frikësim, ndërsa vuri në pah se sic tha ai, është kërcënuar gjatë trajtimit të keqpërdorimeve me hartimin e listave të veteranëve.

Ish prokurori Blakaj, në një letër të hapur, tha se mund të ishin 19 mijë përfitues të rremë të skemës së pensioneve për veteranët e luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa pas publikimit të listës, ish prokurori Blakaj shkroi në facebook se nuk mban përgjegjësi "për aktakuzën e ndryshuar/plotësuar dhe nënshkruar nga një prokuror tjetër, e as për publikimin e emrave, sepse ekziston një parim i cili duhet respektuar-prezumimi i pafajësisë".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG