Lidhje

Trump planifikon tjetër takim me Kim Jong Un


Presidenti amerikan Donald Trump thotë se shumë shpejt do të mbajë një takim tjetër me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un. Të hënën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo hodhi poshtë sugjerimin e një gazetari se kushtet nuk ishin ende të duhura për një takim të tillë. Zoti Pompeo tha se një takim i tillë do të kishte një vlerë të jashtëzakonshme.

Presidenti Donald Trump u takua me homologun jug-korean Moon Jae-in të hënën në OKB për të nënshkruar një marrëveshje

tregtare, por edhe Pheniani ishte temë bisedimesh. Presidenti amerikan vlerësoi bisedimet e kohëve të fundit mes dy udhëheqësve koreanë për paqen.

“Padyshim që folëm për Korenë e Veriut ku po bëjmë përparim të jashtëzakonshëm. Kryetari Kim është treguar i hapur dhe mendoj se kërkon të arrijë rezultate. Mendoj se është bërë shumë në lidhje me Korenë e Veriut.”

Më herët, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo u tha gazetarëve se ka në plan të vizitojë së shpejti Phenianin për të përgatitur takimin e nivelit të lartë ndërsa përdori një ton të kujdesshëm.

“Me vullnet të Zotit, do të udhëtoj pa mbaruar ky vit.”

Pavarësisht pretendimeve të udhëheqësit të Koresë së Veriut, besohet se Pheniani nuk ka ndërmarrë hapat e premtuar për të hequr dorë ndaj arsenalit bërthamor. Zoti Pompeo reagoi ndaj pyetjes së një gazetari

duke thënë se do ishte “qesharake” që Presidenti Trump të zhvillonte një takim tjetër para se të përpunoheshin detajet.

“Rikujtoni historinë, ne përdorëm taktika të tjera për dekada dhe Phenini vazhdoi të ndërtonte programin bërthamor. U përpoqëm t’i detajonim gjerat hap pas hapi dhe të bëjmë shkëmbime. Të gjitha këto dështuan. Tani gjerat po bëhen nga një kënd tjetër.”

Kryediplomati amerikan nuk dha detaje mbi fazën në të cilat ndodhen negociatat, apo të spekulonte mbi hapin tjetër të Phenianit. Por ai tha se Trump dhe Kim do të takohen për të vazhduar përparimet drejt asaj që ka kërkuar Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, dhe çfarë Kim ka premtuar të përmbushë, çarmatimin e plotë bërthamor të Koresë së Veriut, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG