Lidhje

Lobizmi pas akuzave kundër Paul Manafortit 


Aktiviteti i lobistëve që punojnë në Uashington për interes të qeverive të huaja ka tërhequr vëmendje pas gjyqit të lobistit Manafort, ish-shef i fushatës presidenciale të zotit Trump.

Gjyqi i Paul Manafortit, ish-shefi i fushatës presidenciale të zotit Trump, po trondit sektorin e fuqishëm të lobizmit në Uashington. Shumë lobistë në kryeqytetin amerikan tremben se me shpalljen e tij fajtor për mashtrime financiare dhe pasi ai pranoi fajësinë nën akuzat për pengim drejtësie, puna e tyre do të ketë më shumë kokëçarje.

Paul Manafort ka pranuar fajësinë dhe ka rënë dakord të bashkëpunojë me prokurorin special në hetimet mbi ndërhyrjet ruse në zgjedhjet e 2016-tës.

Prokurorët e kanë akuzuar lobistin veteran edhe për shkelje të ligjit që kërkon që ai të ishte regjistruar si përfaqësues i një qeverie të huaj kur po punonte për interes të politikanëve pro-rusë në Ukrainë.

Puna që bënte për politikanët pro-rusë, si ish-presidenti i Ukrainës Viktor Yanukovich, i siguroi Manafortit afro 60 milionë dollarë. Por kjo punë ka sjellë edhe vëmendje të padëshiruar mbi sektorin e lobizmit.

“Përse paguhen kaq mirë nga njerëz kaq të këqinj? Sepse janë vetë të këqinj. Kështu e interpretojnë njerëzit. Mendoj se ky cinizëm është deri diku me vend. Në fakt kështu ndodhi në rastin e Manafortit; ai nuk e shihte më veten. Të duket vetja më i rëndësishëm se je, të vjen një diktator e të kërkon ndihmë,” thotë lobisti David Rehr.

Manaforti është shpallur fajtor për tetë akuza për mashtrim bankar dhe evazion fiskal në një proces që lidhet me hetimet mbi ndërhyrjen ruse.

Ai po ashtu nuk është regjistruar si lobist siç e kërkon ligji për regjistrimin e përfaqësuesve të një vendi tjetër, të cilët duhet të daklarojnë aktivitetin që bëjnë për një qeveri të huaj.

Gjyqi i Manafortit ka zgjuar shqetësime në Uashington mbi të ardhmen e sektorit të fuqishëm të lobizmit. Ekspertët thonë se shohin rritje në numrin e individëve që janë regjistruar si përfaqësues të një qeverie të huaj.

“Kemi vërejtur njerëz që po regjistrohen tani për aktivitet të mëparshëm. Në fakt është interesante se njerëzit po regjistrojnë aktivitet që kanë bërë gjashtë vjet më parë jo për ndonjë qeveri të huaj, por për shembull për interes të industrisë së turizmit në Bahamas. Nuk e dinin se duhet të regjistroheshin deri kur dolën gjithë këto probleme që rrjedhin nga mosrespektimi i ligjit,” thotë studiuesja Anna Massoglia e organizatës “Opensecrets”.

Qendra për Politika të Përgjegjshme kohët e fundit krijoi një bazë të re me të dhënat e lobistëve që punojnë për qeveri të huaja. Megjithëse informacioni mbi fondet e shpenzuara në interes të qeverive të huaja ka qenë i disponueshëm për publikun prej vitesh, baza e re e të dhënave është më e thjeshtë për përdoruesin. Nga kërkimet dalin përfundime interesante:

“Ajo që më ra më tepër në sy janë shumat kolosale. Vetëm operacionet që filluan në 2017 përllogariten në gjysëm miliard dollarë,” thotë zonja Massoglia.

Ndër vendet që shpenzojnë më shumë janë Koreja e Jugut me rreth 70 milionë dollarë, pasuar nga Arabia Saudite dhe Japonia. Ekspertët thonë se shpesh vërejnë rritje të shumave nëse acarohen marrëdhëniet mes një vendi dhe Shteteve të Bashkuara. Me shuarjen e problemeve bien edhe shumat e paguara për lobizëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG