Lidhje

Nju Jork Tajms, akuza zotit Trump për shmangie nga taksat


Donald Trump në vitin 1995

Departamenti i Taksave të shtetit Nju Jork nisi një hetim pas një shkrimi të gazetës Nju Jork Tajms ku thuhet se Presidenti Donald Trump ka përdorur metoda të dyshimta për t’iu shmangur taksave, madje duke bërë edhe mashtrime tatimore, për të rritur ndjeshëm pasurinë e tij që e filloi me para të dhuruara nga prindërit.

Zotit Trump i pëlqen ta përshkruajë veten si njeri që e ka krijuar vetë suksesin financiar, duke thënë se e filloi gjithçka me një kredi relativisht modeste prej 1 milion dollarësh nga i ati dhe pastaj e ngriti pasurinë me anë të investimeve dhe marrëveshjeve fitimprurëse.

Por në shkrimin mjaft të detajuar të gazetës Nju Jork Tajms, thuhet se zoti Trump përfitoi rreth 413 milionë dollarë nga babai i tij, Fred Trump, manjat i pasurive të patundshme në Nju Jork.

Fred Trump filloi t’u kalonte para zotit Trump dhe fëmijëve të tjerë që kur ata ishin të vegjël, shkruan gazeta, madje ata edhe sot vazhdojnë të marrin të ardhura nga pasuritë e paluajtshme të të atit.

Gazeta njofton se zoti Trump e ndihmoi të atin të shtonte pasurinë duke iu shmangur tatimeve apo duke bërë zbritje taksash që gazeta i quan të parregullta.

Sipas gazetës, zoti Trump krijoi një skemë për të ulur vlerën në letër të pronave të patundshme që zotëronte, në mënyrë që të bënte zbritje të ndjeshme në faturën tatimore.

Gazeta Nju Jork Tajms njofton gjithashtu se zoti Trump dhe vëllezërit e motrat e tij krijuan një korporatë të rreme për të fshehur dhuratat e mëdha në para që u bënte i ati.

Sipas gazetës, të dhënat tatimore tregojnë se familja Trump pagoi vetëm një pjesë të taksave që duhet t’i paguanin qeverisë federale sipas kodit tatimor.

Shtëpia e Bardhë lëshoi të martën vonë, një deklaratë lidhur me akuzat:

"Fred Trump ka 20 vjet që nuk është më dhe është për të ardhur keq që shohim këtë sulm ndaj familjes Trump nga gazeta e dështuar Nju Jork Tajms. Shumë dekada më parë Agjencia e Taksave i shqyrtoi dhe i miratoi këto transaksione. Besueshmëria e Nju Jork Tajmsit dhe e mediave të tjera për popullin amerikan është më e ulta e të gjitha kohërave, sepse ato e kanë fiksim sulmin ndaj presidentit dhe familjes së tij 24/7 në vend që të raportojnë lajme," tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders në një deklaratë.

Gazeta thotë se e bazon shkrimin e saj në intervista me ish-punonjësit e zotit Fred Trump dhe në më shumë se 100,000 faqe dokumente, përfshirë taksat personale të zotit Trump.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG