Lidhje

Vlorë, sekuestrohen pronat e Habilajve


Autoritetet në Shqipëri filluan të mërkurën sekuestrimin e pronave të të ashtuquajturit “Grupi i Habilajve”.

Në afërsi të Spitalit Civil të Vlorës, u rrethua me shiritat e policisë një karburant që rezulton në pronësi të Artan Habilajt, njëri prej tre vëllezërve të akuzuar se janë përfshirë në trafik të lëndëve narkotike.

Pas kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda kishte pranuar pak ditë më parë vënien në sekuestro të 29 pasurive të ndryshme të vëllezërve Habilaj. Prokuroria e Krimeve të Rënda në kërkesën drejtuar Gjykatës e kishte argumentuar bazën ligjore për sekuestro të pronave të tre vëllezërve Habilaj në ligjin e dhjetorit të vitit 2009, “Për goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.

Në listën e gjatë të pronave në sekuestrim figurojnë pasuri në emrin e Moisi Habilajt, i konsideruar si kreu i grupit që merrej me dërgimin e sasive të mëdha të marijuanës drejt Italisë, vend ku tetorin e kaluar autoritetet e Katanias goditën grupin shqiptar si pjesë të një organizate kriminale italo-shqiptare.

Mes pasurive që janë në proces sekuestrimi në Vlorë janë edhe ato të lidhura me Artan dhe Florian Habilaj, por edhe të njerëzve të afërt, apo të lidhur me ta. Bëhet fjalë për të paktën 10 apartamente me një vlerë totale prej disa qindra mijëra euro. Mes pasurive të sekuestruara janë edhe 3 ndërtesa, një garazh, një truall, 4 njësi tregtare, 4 pasuri të tjera të patundshme dhe 5 autovetura.

Dyshimet për lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, me të cilët kishte lidhje farefisnore, vunë nën akuzë vitin e shkuar dhe ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Hetimet ndaj tij nisën pasi autoritetet italiane goditën organizatën në Katania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i ish-ministrit përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve. Prokuroria kërkoi arrestimin e zotit Tahiri, por shumica e majtë refuzoi kërkesën duke pretenduar se prokuroria nuk kishte paraqitur asnjë provë. Në maj të këtij viti, zoti Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas, prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij, por gjykata vendosi për arrest shtëpie, një masë e cila u ndryshua pak javë më pas nga Gjykata e Apelit. Zoti Tahiri ka mohuar akuzat për përfshirjen e tij në trafik narkotikësh, apo se ka patur lidhje me grupin e Habilajve. Hetimet ndaj tij janë ende në vazhdim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG