Lidhje

Tiranë, atentat në Bllok: 1 i vrarë, 2 të plagosur


Në Tiranë, 1 person mbeti i vrarë dhe dy të tjerë u plagosën mbrëmjen e së enjtes në zonën qëndrore të kryeqytetit të njohur si “Blloku”. Sipas të dhënave të para, shënjestër e atentatit, në mjediset e një lokali, dyshohet të ketë qenë Ervis Martini, një emër i njohur për policinë dhe për drejtësinë shqiptare. Martini, mbeti i plagosur së bashku me Laert Hasën, ndërsa një plumb në kokë i ka marrë jetën Rigers Gaxhës, truproja e Martinit.

Të dy të plagosurit janë dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë, ku menjëherë kanë shkuar dhe forca të shumta të policisë që mbajnë të rrethuar zonën. Martini, ishte mes personave të përfshirë në nëntor të vitit 2015 në një vrasje të ndodhur në një lokal në periferi të Tiranës pranë rrugës për në Dajt. Ndonëse prokuroria kërkoi ndaj Martinit dhe shokëve të tij dënime me mbi 20 vjet burgim, Gjykata e Tiranës, e rrëzoi akuzën e “vrasjes me paramendim në bashkëpunim”, duke ndëshkuar autorin e vrasjes, ndërsa dha dënime të lehta për Martinin dhe dy persona të tjerë, me arsyetimin se bëhej fjalë për një vrasje e lindur nga një konflikt i çastit.

Martini aktualisht merrej me biznes privat, mes të cilave pika bastesh si dhe një ndër lokalet më të mëdha në qendër të Bllokut.

Për ngjarjen janë pyetur një numër i madh personash, ndërkohë që grupi hetimor kryesohet nga drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elizabeta Imeraj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG