Lidhje

Bosnjë: Zgjedhje të rëndësishme për të ardhmen e vendit


Qytetarët e Bosnjës votuan të dielën në zgjedhjet që shihen edhe si një sprovë nëse vendi do të ecën drejt integrimeve në Bashkimin Evropian dhe në NATO, apo do të mbetet e ngujuar në armiqësitë që pasuan luftën e viteve 1992-1995.

Rreth 3.3 milionë kishin të drejtë vote ndërsa sipas të dhënave ende jo të plotë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 52 për qind hodhën votën për rreth 7 mijë e 500 kandidatë për një varg institucionesh në sistemin e ndërlikuar qeverisës të Bosnjës, të krijuar me marrëveshjen e paqes që i dha fund luftës, e cila la pas vetes 100 mijë të vrarë dhe miliona të pastrehë.

Vendi përbëhet nga një rajon i drejtuar nga serbët dhe një entitet i ngjashëm myslimano-kroat, të bashkuar në një qeveri qendrore. Në përfundim të numërimit të votave do të merret vesh se kush do të jetë në presidencën boshnjake prej tre personash, parlamentet e dy entiteteve dhe autoritetet kantonale.

Fushata para zgjedhjeve u vu nën hijen e retorikës përçarëse dhe akuzave për parregullsi që vetëm sa shtuan tensionet.

Serbët dhe kroatët e Bosnjës duan të afrohen më shumë me Serbinë dhe Kroacinë fqinje, ndërsa myslimanët duan Bosnjën e bashkuar. Çështja ishte në thelb të luftës së viteve të 90-ta.

Vëmendja ishte më e përqendruar në konkurrencën për presidencën treanëtarëshe të Bosnjës, për shkak të kandidaturës së presidentit të entitetit serb, Milorad Dodik, një politikan i vijës së ashpër që kërkon ndarjen nga Bosnja. Të dielën mbrëma partia e tij shpalli se ai ka fituar vendin ne presidencë.

Milorad Dodik, është aleati kryesor i presidentit rus, Vladimr Putin dhe fitorja e tij nënkupton ndikim më të fuqishëm të Rusisë. Në konkurrencë me të ishte anëtari aktual serb i presidencës, Mladen Ivaniç, relativisht më i moderuar.

Kandidati kryesor kroat për presidencën boshnjake, Dragan Çoviç, kërkon formimin e një trupi të tretë qeveritar, një mini shteti kroat, që do të thoshte fragmentim i mëtejshëm i vendit të brishtë.

Kandidatët liberal që mbështesin një shoqëri civile të lirë nga ndarjet etnike, kanë mbetur në margjinat e zgjedhjeve të së dielës. Vëzhguesit thonë se apatia e votuesve ka shuar shpresat për ndonjë befasi në zgjedhjet e së dielës pavarësisht shkallës së lartë të papunësisë dhe korrupsionit në shkallë të gjerë.

“Kam shumë pritje, por pak shpresë që diçka do të ndryshojë", thotë Dragica Ruzhiç, një pensioniste 72 vjeçare në rajonin serb të Bosnjës.

Në pjesën tjetër të vendit të ndarë në Sarajevë, punëtori Kemal Çengiç, 57 vjeçar, thotë se do të dëshironte "të fitojë ndonjë më i ri".

“Kushdo qoftë, vetëm jo këta që ishin në pushtet deri tash", thotë ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG