Lidhje

Zgjedhjet për në Kongres dhe përfituesit e programit DACA


I mbani mend 700 mijë përfituesit e DACA-s, të periudhës së Presidentit Obama, një program që u mundësoi atyre të jetojnë dhe punojnë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara, edhe pse ishin imigrantë pa dokumente? Ata nuk janë përmendur shumë në lajme kohët e fundit, por janë ende në pritje dhe me shpresën se diçka do të bëhet për ndryshimin e statusit të tyre para se programi të marrë fund. Në Nevada, ku hispanikët kanë një ndikim të konsiderueshëm në garën e ngushtë për në Senat në zgjedhjet e nëntorit, disa nga ëndërrimtarët po shpresojnë se zgjedhjet do të sjellin ndryshime. Por ka të tjerë, të cilët nuk kanë shumë shpresë:

Juan Ulises Juárez erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Meksika, kur ishte 10 vjeç. Atij i dhanë bursë për të studjuar në kolegj. Juan filloi punë si gazetar në televizionin lokal dhe në vitin 2017, ai fitoi një çmim Emmy për gazetarinë.

"Unë jam pa dokumente të ligjshme, jam një prej ëndërrimtarëve që kanë DACA-n, për mua një program tepër i veçantë,”- thotë Juan.

"Kur fitova çmimin Emmy, desha t’u tregoja të pranishmëve, shumë prej tyre nga kanalet anglishtfolëse, historinë time. Ishte DACA që ma bëri të mundur këtë,” - thotë Juan.

Që nga viti 2012, kur ish Presidenti Obama bëri të njohur Programin DACA, 700,000 fëmijëve të prindërve imigrantë pa dokumente, të cilët i kishin sjellë në Shtetet e Bashkuara ilegalisht, u është dhënë mundësia të punojnë dhe jetojnë me leje 2-vjeçare me të drejtë rinovimi.

Presidenti Trump njoftoi se do t’i jepte fund programit në shtator të vitit

2017, duke e lënë Kongresin në mesin e një beteje për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme. Më tepër se një vit më vonë, me afrimin e zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor, ëndërrimtarët si Juárez, janë ende në pritje. Politika të tjera të debatueshme, si ndërtimi i murit dhe ndarja e familjeve emigrante në kufirin SHBA-Meksikë, e kanë eklipsuar situatën e tyre.

"Gjithmonë ndodh diçka që ka përparësi dhe politikanët e harrojnë këtë çështje. Ajo është akoma në gjykatë dhe mendohet se kështu do të zgjidhet. Përsa kohë që leja rinovohet, kjo nuk përbën urgjencë për politikanët, por në fakt statusi ynë mbetet i pazgjidhur,”- thotë Juan.

Për 13,000 përfituesit e DACA-s në Nevada, zgjedhjet e vitit 2018 mund të sjellin një tjetër zhgënjim, por ato janë një shans që përpjekjet e tyre të dëgjohen. Banorët hispanikë dhe latino të Nevadës, që përbëjnë 29 për qind të popullsisë së shtetit, janë duke i kushtuar vëmendje të madhe zgjedhjeve.

"Çështja është se familja ime, ajo e fqinjit, rrezikohen. Unë ndoshta nuk prekem drejtpërdrejt nga kjo çështje, por unë kam merak për këta njerëz, se ata janë pjesë e jetës sime,”- thotë Alicia Contreras, drejtoreshë e grupit “Familja ime voton.”

Megjithëse ëndërrimtarët nuk votojnë dot, disa mendojnë se nuk humbasin gjë, në se përpiqen t’i nxisin njerëzit të dalin në votime.

"Brezi im mendonte se vota e tyre nuk kishte rëndësi. Prandaj tani po i bëj thirrje të gjithë miqve që të dalin në votime, për të sjellë ndryshime.”- thotë Argella Rico, përfituese e DAKA-s.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG