Lidhje

Drejtues korporatash tërhiqen nga konferenca saudite e investimeve


Turkish forensic and investigation officers arrive at the Saudi Arabia's Consul General

Drejtues të korporatave perëndimore po vazhdojnë të tërhiqen nga një konferencë për investimet që mbahet në Arabinë Saudite javën e ardhshme, duke u distancuar nga pikëpyetjet rreth përfshirjes së Riadit në zhdukjen dhe vrasjen e dyshuar në Turqi, të një gazetari saudit me qëndrim në SHBA.

Fillimisht, shumë nga udhëheqësit e biznesit u treguan të rezervuar në gjykimin për atë që ndodhi me gazetarin e zhdukur Jamal Khashoggi. Por ndërsa raportimet nga Turqia shtohen duke pohuar se agjentët sauditë torturuan, vranë dhe e copëtuan gazetarin dy javë më parë në konsullatën e vendit në Stamboll, drejtuesit ekzekutivë kanë njoftuar ditët e fundit se nuk do të marrin pjesë në konferencën tre-ditore “Iniciativa për investime të ardhshme” që nis punimet ditën e martë.

Arabia Saudite e ka mohuar vrasjen e Jamal Khashoggi-it, një kritik i udhëheqësit de-facto të vendit, princit të kurorës Mohammed bin Salman. Ai ka publikuar disa shkrime kundër tij në gazetën The Washington Post. Autoritetet në Riad kanë thënë se do të bëjnë të ditura rezultatet e hetimit të tyre rreth zhdukjes së gazetarit.

Konferenca është organizuar nga fondi sovran i Arabisë Saudite dhe është reklamuar si një vitrinë për reformat ekonomike të mbretit Salman ndërsa ai përpiqet të diversifikojë ekonominë e mbretërisë që për dekada me radhë është përqendruar në rolin e saj si eksportuesi kryesor i naftës në botë. Takimi vjetor i udhëheqësve ekonomikë botërorë në Zvicër e ka quajtur konferencën e Riadit si "Davosi i shkretëtirës".

Shefi ekzekutiv i JP Morgan, Jamie Dimon dhe krerët e dy firmave të mëdha amerikane të investimeve BlackRock dhe Blackstone janë tërhequr nga pjesmarrja në konferencë. Drejtuesit më të lartë të kompanisë prodhuese të makinave Ford dhe kompanisë së kreditimit MasterCard kanë thënë se nuk do të shkojnë, po kështu edhe kompania e kërkimeve në internet Google tha të martën se një nga drejtuesit e saj nuk do të marrë pjesë në konferencë.

Shefat e bankave evropiane BNP Paribas, Credit Suisse, HSBC, Standard Chartered dhe Societe Generale anuluan pjesmarrjen.

Presidenti amerikan Donald Trump, i cili thotë se Arabia Saudite nuk duhet të gjykohet si fajtore në një kohë kur po zhvillohen hetime, tha se sekretari i Thesarit Steven Mnuchin do të vendosë të premten nëse do të marrë pjesë ose jo në konferencë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG