Lidhje

Mattis: Vrasja e Khashoggit duhet të na shqetësojë të gjithëve


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis tha sot se "vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi në një ndërtesë diplomatike duhet të na shqetësojë të gjithëve", duke shtuar se Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ka pezulluar tashmë viza për disa shtetas sauditë të përfshirë në vrasjen e gazetarit.

Duke folur në konferencën e përvitshme të sigurisë në Bahrein, Sekretari Mattis tha se Shtetet e Bashkuara do të marrin masa shtesë kundër atyre që janë përgjegjës për vrasjen e gazetarit Khashoggi.

"Dështimi i cilitdo vendi në respektimin e normave ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit, minon stabilitetin rajonal në një kohë kur ai nevojitet më së shumti. Siç ka thënë Presidenti Trump, ne do të zbardhim rrethanat e këtij rasti".

Sekretari Mattis tha se pjesë e partneritetit SHBA-Arabia Saudite "duhet të jetë transparenca dhe besimi".

"Këto dy parime janë jetike për të siguruar bashkëpunimin e vazhdueshëm, sepse e dimë se që të mbetemi të angazhuar, dhe ne jemi të angazhuar, duhet të kemi transparencë dhe siguri të vazhdueshme për të gjithë në këtë rajon dhe kjo është e nevojshme nëse duam të kemi një Lindje të Mesme të sigurt dhe të begatë".

Sekretari Mattis nuk e fajësoi drejtpërdrejt Arabinë Saudite për vrasjen e gazetarit Khashoggi dhe nuk iu referua thirrjeve të anëtarëve të Kongresit për të pezulluar shitjen e armëve për Arabinë Saudite ose për sanksione kundër mbretërisë saudite.

Ndërkohë, mediat amerikane njoftojnë se Salah bin Jamal Khashoggi, djali i gazetarit të vrarë në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara. Ai është shtetas amerikan dhe saudit dhe qeveria e saudite ia kishte ndaluar udhëtimin jashtë vendit deri në fillim të kësaj jave.

Departamenti i Shtetit tha se Sekretari Pompeo ishte "i kënaqur" me vendimin saudit për të hequr kufizimin për udhëtime jashtë vendit ndaj djalit të gazetarit të vrarë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG