Lidhje

Sekretarja Neilsen paralajmëron emigrantët në karvan


Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kirsten Nielsen, dha një mesazh të qartë për karvanin e emigrantëve që po lëvizin ngadalë përmes Meksikës drejt Shteteve të Bashkuara: "Mos hajdeni!".

Ajo i tha rrjetit Fox News, "Ka një mënyrë të drejtë dhe ligjore për të hyrë në këtë vend", duke paraqitur pretendimet për azil në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ata janë në Meksikë. "Duhet të respektohet sundimi i ligjit."

Zonja Nielsen tha, "Ne kemi një krizë në kufi", ndërsa zyrtarët amerikanë kapin 1500 deri në 1700 emigrantë në ditë që kalojnë në Shtetet e Bashkuara.

Ajo ofroi vlerësimin e saj ndërsa sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis u tha gazetarëve që udhëtonin me të për një vizitë në Pragë se zyrtarët e Pentagonit po përpunojnë hollësitë mbi dislokimin e disa qindra trupave në kufirin jugor të SHBA.

Të premten, Pentagoni miratoi një kërkesë nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare për të dërguar qindra trupa në kufirin SHBA-Meksikë në atë që cilësohet si një rol mbështetës. Në një deklaratë të publikuar të premten thuhet se personeli do të mbështesë patrullën kufitare me ndihmën e planifikimit, ekipe mjekësore dhe ndërtimin e strehimit të përkohshëm, së bashku me detyrat e tjera mbështetëse.

Ata do të bashkohen me më shumë se 2,000 anëtarë të Gardës Kombëtare tashmë të vendosur në zonë që po japin mbështetje për agjentët e patrullimit kufitar.

Ndërkohë, administrata Trump njoftohet se po shqyrton një urdhër të ri ekzekutiv që synon bllokimin e azil kërkuesve dhe emigrantëve të kalojnë kufirin SHBA-Meksikë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG