Lidhje

Tirana proteston ndaj incidenteve antishqiptare në Athinë


Tirana ka protestuar sot ndaj incidenteve antishqiptare të ndodhura në Greqi, për ngjarjen e ndodhur të dielën në fshatin Bularat të Gjirokastrës, ku 35 vjeçari Kostantinos Kacifa, pjestar i minoritetit grek, mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë. Për herë të dytë, Ministria e Jashtme ka thirrur ambasadoren greke Elena Surani, pas alarmit për bombë pranë Ambasadës shqiptare në Athinë, djegies së bizneseve shqiptare, protestave para ambasadës dhe konsullatës shqiptare si dhe djegies së flamurit kombëtar të Shqipërisë gjatë një manifestimi proteste mbrëmë para parlamentit grek.

“Ambasadores iu kërkua distancimi dhe në të njëjtën kohë, dënimi nga ana e autoriteteve greke ndaj këtyre akteve të rënda që cenojnë klimën e marrëdhënieve miqësore mes fqinjëve”, shpjegoi Ministria e Jashtme në një deklaratë, duke shtuar se ajo “nënvizoi gjithashtu nevojën që autoritetet greke të marrin masat e duhura për të garantuar jetën dhe pronën e shtetasve shqiptarë me banim në Greqi”.

Situata pas ngjarjes në Bularat, ka rritur tensionet mes dy vendeve. Të hënën ishte ministria e Jashtme greke e cila thirri ambasadoren shqiptare, ndërsa dje Ministria e Jashtme shqiptre u përgjigj me të njetën monedhë. “Ambasadores iu komunikua pozicioni i qartë i autoriteteve shqiptare lidhur me çështjen në fjalë”, shpjegoi Ministria shqiptare, sipas së cilës “u përsërit thirrja për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të kësaj çështje, duke siguruar se Shqipëria është vend i sigurtë e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke”.

Të dielën palët kishin shkëmbyer replika në distancë mes tyre, menjëherë pas ngjarjes. Fillimisht ishte Athina zyrtare e cila përmes një komunikate u shpreh se “në çdo rast është e papranueshme që një operacion të shkojë deri aty së të humbasim një jetë”, duke shtuar më tej se pret nga autoritetet shqiptare “sqarimin e plote të kushteve në të cilat humbi jetën shtetasi grek”. Ministria e Jashtme shqiptare reagoi duke u shprehur “zhgënjim për reagimin e ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit, po flet për "humbje jete të papranueshme". Policia e shtetit ka sqaruar me detaje se kjo është një ngjarje totalisht e izoluar nga aktivitetet në zonë dhe nje rast flagrant agresioni ekstremist ndaj Policisë së Shtetit shqiptar”, theksoi deklarata e ministrisë shqiptare.

Autoritetet greke kërkuan që ato të merrnin pjesë në hetimin e çështjes. Por në deklaratën e së martës të ministrisë së Jashtme shqiptare saktësohet se ambasadores greke “i’u theksua se ngjarja e rëndë po hetohet nga Prokuroria Shqiptare. Ky institucion është autoriteti i vetëm që në bazë të kushtetutës dhe legjislacionit penal shqiptar kryen hetim të pavarur për çdo vepër penale që ndodh në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Me kërkesë të familjarëve të Kocifas, trupi i tij do t’i nënshtrohet një ekspertizë mjeko-ligjore më të detajuar në Tiranë, ndërsa më parë, u lejua që të shihet nga afër dhe nga një avokat i familjes si dhe një ekspert grek, i thirrur po nga familja e Kocifas.

Për ngjarjen reagoi të martën në mbrëmje dhe Presidenti Ilir Meta. Zëdhënësi i tij theksoi se Kreu i Shtetit shqiptar “vlerëson rëndësinë e hetimeve transparente e shteruese dhe shpreh bindjen e thellë se kjo është një ngjarje e izoluar e cila nuk mund të zbehë miqësinë shqiptaro-greke. Minoriteti grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi do vazhdojnë të jenë ura solide të këtyre marrëdhënieve dhe kësaj miqësie. Presidenti Meta – vijoi më tej zëdhënësi Tedi Blushi - vlerëson qëndrimet e ministres së Kulturës së Greqisë lidhur me ngjarjen dhe ju bën apel të gjithëve të qëndrojnë larg përpjekjeve për të shfrytëzuar këtë ngjarje për retorikë nacionaliste e nevoja politike destruktive”.

Presidenti Meta dënoi dhe shfaqjen mbrëmjen e së hënës gjatë një ndeshjeje futblli në Tiranë të një banderole me tone raciste antigreke, e cila u hoq menjëherë me kërkesë të delegatit të ndeshjes. Për Kreun e Shtetit shqiptar, ajo parullë “është jo vetëm e papranueshme, por thellësisht e dënueshme”. Incidenti u dënua me tone të ashpra dhe nga Federata shqiptare e futbollit.

Të dielën, sipas shpjegimeve të policisë shqiptare, Kocifas ka nisur të qëllojë në ajër në fshatin Bularat, ndërsa ka pritur me të shtëna dhe mbërritjen e forcave të policisë lokale. Në ndjekje të tij më vonë janë vënë forcat speciale të repartit RENEA. “Në momentin e zbulimit nga forcat e policisë, shtetasi Kostandinos Kaçifa , ka hapur menjëherë zjarr ndaj tyre. Forcat speciale janë pozicionuar për të mbrojtur jetën e tyre dhe nëpërmjet megafonit i kanë bërë thirrje të herëpashershme shtetasit që vijonte të qëllonte me armë që të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit. Shtetasi Kaçifa ka vijuar të qëllojë kundër forcave speciale për gati 30 minuta, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Në kundërpërgjigje, të forcave speciale gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vrarë shtetasi Kostandinos Kaçifa”, saktësoi policia shqiptare pas ngjarjes. Një video e marrë me celular, tregon momentet kur Kacifa qëllon ndërsa është brenda fshatit, kurse arma që ai mban në duar duket të jetë e pajisur dhe me dylbi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG