Lidhje

Turqia thorë se Khashoggu u mbyt sapo hyri në konsullatë


Një prokuror turk tha se gazetari saudit Jamal Khashoggi u vra, pasi i zunë frymën, menjëherë pasi hyri në konsullatën e Riadit në Stamboll përpara se trupi i tij të ndahej në copa.

Deklarata e kryeprokurorit të Stambollit Ifran Fidan vjen ndërsa Turqia po ibën presion Arabinë Saudite të ekstradojë 18 persona që janë ndaluar lidhur me rolin e tyre në vrasjen e gazetarit. Zhdukja e tij në 2 tetor në konsullatën saudite në Stamboll krijoi polemika të forta ndërkombëtare që kërcënojnë marrëdhëniet e komplikuara mes Arabisë Saudite, Turqisë dhe SHBA-së.

Turqia e ka rritur në mënyrë të qendrueshme trysninë ndaj Arabinë Saudite për të dhënë përgjigje në mes të deklaratave të ndryshme që zyrtarët e Riadit kanë dhënë lidhur me fatin e gazetarit. Disa javë pas ngjarjes, Riadi pranoi se gazetari ishte vrarë në konsullatë nga një ekip prej 15 agjentësh sauditë. Të martën, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i kërkoi Riadit të bëjë të ditur se kush urdhëroi vrasjen e Jamal Khashoggit.

Zyrtarët turq, përfshirë presidentin Erdogan, janë ankuar në mënyrë të përsëritur se Arabia Saudite ka penguar hetimin duke refuzuar të bëjë të ditur prova kyçe, siç është vendndodhja e trupit të gazetarit.

Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman, i kritikuar shpesh nga Jamal Khashoggi në shkrimet e tij për gazetën Washington Post, vetëm disa ditë më parë përshëndeti bashkëpunimin "unik" mes dy vendeve lidhur me këtë çështje.

Kritikat ndërkombëtare rreth vrasjes së dyshuar kanë qenë të shpejtë dhe të ashpra. Gjermania ka pezulluar licencat e eksportit me mbretërinë, ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump është vendosur në një situatë të vështirë për shkak të mbështetjen së tij për një vend kyç për strategjinë amerikane për Lindjen e Mesme.

Zoti Trump e ka quajtur zhdukjen e Jamal Khashoggit dhe vdekjen e tij si "një nga ngjarjet e mbuluara më keq në histori", por ka thënë gjithashtu se SHBA-ja nuk duhet të jetë shumë kritike ndaj regjimit për shkak të një marrëveshjeje të pritshme për armët me vlerë disa miliarda dollarë.

Jamal Khashoggi hyri në konsullatën saudite që ndodhet në kryeqytetin turk më 2 tetor për të marrë dokumentat që duheshin për martesën e tij me shtetasen turke Hatice Cengiz, e cila po priste jashtë konsullatës. Por prej atij momenti ai nuk u pa më.

Arabia Saudite ka arrestuar 18 zyrtarë në lidhje me komplotin për të vrarë Jamal Khashoggin, ndërsa sekretari amerikan i Shtetit i SHBA Mike Pompeo ka revokuar vizat e disa zyrtarëve sauditë, që besohet se kanë marrë pjesë në vrasjen e gazetarit saudit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG