Në Tiranë, shkrimtari Arbër Ahmetaj botoi një libër të ri, i cili tërhoqi menjëherë vëmendjen e qarqeve artistike për kujdesin ndaj temave të grave e vajzave shqiptare. Autori thotë se shoqëria shqiptare është e dhunshme, sidomos gjatë tranzicionit, ndërsa gruaja shqiptare meriton një trajtim krejt tjetër.
Shkrimtari i njohur shqiptar Arbër Ahmetaj nxori nga shtypi dhe publikoi në Tiranë librin e tij më të ri “69 Gra”.
Ky libër me 13 tregime është një sprovë e pazakontë artistike për të shkruar dramat dhe vlerat e vajzave dhe nënave shqiptare në kapërcyell të tranzicionit nga diktatura më e egër komuniste e Ballkanit drejt shoqërisë demokratike.
Studiues të letërsisë, kritikë, analistë e gazetarë u mblodhën në mbrëmje rreth autorit për të biseduar mbi letërsinë dhe vështirësitë e shoqërisë shqiptare.
Kritikët pohuan se libri “69 gra” përfshin fabula të gjetura, të papritura të shpeshta gjatë rrëfimit, gjeografia e gjerë ku lëvizin personazhet nga Shqipëria, në Gjenevë nga Parisi në Dublin etj.
Edhe pse jeton e krijon në Zvicër, autori e ka Shqipërinë me vete dhe është thellësisht e pranishme në krijimtarinë e tij.
Arbër Ahmetaj është autor i 6 librave, romane, novela e tregime, të gjitha të përfshira nga humanizmi, emocione, ndjenja e imazhe unike.
Studiuesit vlerësojnë sidomos lehtësinë e kapërcimit të tij gjatë rrëfimeve nga erotikja tek cinikja, nga e djeshme tek e ardhmja, nga vdekja te jeta dhe nga satira tek tragjikja.
Facebook Forum