Lidhje

Rama ripropozon Lleshin, Meta: Miratimi jo akt formal


Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama firmosi sot kërkesën e re dërguar presidentit Ilir Meta përmes së cilës ai ripropozon gjeneralin Sandër Lleshi, në postin e ministrit të Brendshëm. Kryeministri Rama ka këmbëngulur se presidenti nuk ka kompetencë për të refuzuar emërimin e një anëtari të qeverisë. Por sot zoti Meta, i qëndroi vendimit të marrë fundjavën e shkuar, duke deklaruar se vetëm betimi te Presidenti është një akt formal.

Rama ripropozon Lleshin, Meta: Miratimi jo akt formal
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:34 0:00

Kryeministri Edi Rama e njoftoi përmes një postimi në Tëitter vendimin për t’i ripropozuar presidentit Ilir Meta emrin e zotit Sandër Lleshi për ministër të Brendshëm duke shpjeguar se kërkesa është shoqëruar dhe me “një relacion të detajuar shpjegues, në funksion të dekretimit të Ministrit të Brendshëm”. Kreu i Shtetit nuk ka bërë zyrtarisht publike arsyet e vendimit të tij, duke u mjaftuar të thotë se “nuk kishte krijuar bindjen e plotë, për t’i dhënë besimin” si ministër.

Mbrëmë gjatë emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në televizionin “Vizion Plus”, zoti Rama tha se paraqitja e kërkesës për zotin Lleshi, kishte për synim që t’i jepej presidentit “mundësia që të krijojë bindjen e plotë” dhe “situata të futet në binarët e kushtetutës. Ky precedent nuk mund të krijohet dhe nuk ka pse të krijohet”, tha kryeministri.

Qëndrimi i presidentit u shoqërua me polemika të shumta. Gjatë fjalës së tij në parlament, ditën e hënë, zoti Rama këmbënguli në faktin se Presidenti nuk mund të refuzojë emërimin e një anëtari të Qeverisë. Por zoti Meta, edhe sot u shfaq i bindur se ka vepruar drejt, ndërsa u pyet nga gazetarët për motivet ligjore të vendimit të tij: “Përsa i takon anës ligjore padashur të jap leksione për Kushtetutën, por të gjithë amatorët, diletantët apo atyre që janë të njëanshëm, do t’i ftoja edhe një herë të lexojnë Kushtetutën, kompetencat e Presidentit dhe se akt formal apo ceremonial është vetëm betimi te Presidenti”.

Kritikave të atyre që mbështesin idenë se Presidenti ka detyrë vetëm të firmosë propozimin për ministër, pasi në Kushtetutë nuk thuhet në mënyrë eksplicite që Presidenti mund të kthejë mbrapsht një propozim, zoti Meta ju përgjigj me një pyetje: "A mundet Parlamenti të rrëzojë dekretin e Presidentit për një ministër? Sepse edhe kjo nuk është e shprehur në mënyrë eksplicite në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kështu që, më lini të bëj detyrën time me përgjegjshmëri të plotë, si gjithmonë”.

Mbetet për t’u parë nëse relacioni shpjegues që kryeministri Edi Rama njoftoi se i ka bashkangjitur kërkesës për zotin Lleshi, do të mund të ndikojë që zoti Meta të ndryshojë qëndrimin, duke qenë se motivet ai ja ka bërë të qarta vetëm zotit Rama, gjatë bisedësh 90 minuteshë që ata patën së bashku të dielën.

Zotit Sandër Lleshi ju besua megjithatë drejtimi i Ministrisë së Brendshme, ndonëse “de jure” vetëm në rolin e një zëvendësministrit. Një situatë për të cilën kanë reaguar si ambasada amerikane ashtu dhe delegacioni i Bashkimit europian duke vënë theksin te nevoja që “ministria e Brendshme të jetë plotësisht funksionale”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG