Lidhje

Pence në Singapor për takime të nivelit të lartë


Nënpresidenti amerikan, Mike Pence ndodhet në Singapor për takime rajonale të nivelit të lartë, gjatë të cilit ai do të theksojë angazhimin e administratës së Presidentit Trump, për ta mbajtur rajonin e Indo-Paqësorit të lirë dhe të hapur, por ku udhëheqësit do të shohin me kujdes se çfarë do të ofrojë ai konkretisht, si nga pikëpamja e sigurisë ashtu edhe nga ajo e tregëtisë dhe investimeve.

Një zyrtar i lartë i administratës u tha gazetarëve se vizita e nënpresidentit në rajon do të shërbejë për të shpallur "nisma konkrete dhe të rëndësishme" për të vënë në jetë strategjinë që u shpalos nga President Donald Trump në takimin e nivelit të lartë të Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore, APEC-ut, në Vietnam, vitin e kaluar.

Një nga çështjet kryesore në takimin e Singaporit do të jetë edhe përplasja tregëtare mes Uashingtonit dhe Pekinit, që i ka bërë nervozë vendet e rajonit. Ndërkohë shumë pyetje mbeten lidhur me angazhimin e sigurisë në rajon nga ana e administratës amerikane, kryesisht lidhur me Korenë e Veriut.

Para se të shkonte në Singapor, nënpresidenti Pence ishte në Tokio ku tha se një marrëveshje dypalëshe tregëtare me Japoninë, do të ishte rruga më e mirë për të zgjidhur imbalancën tregëtare që Uashingtoni thotë se I ka vënë prodhimet amerikane në dizavantazh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG