Lidhje

Gjendja në kufirin mes Amerikës dhe Meksikës


Disa qindra emigrantë nga vendet e Amerikës Qendrore ndodhen në qytetin e Tijuanës, në kufirin e Meksikës me Shtetet e Bashkuara, pas një udhëtimi një mujor, në përpjekje për t’i shpëtuar varfërisë dhe dhunës në vendet e tyre dhe me shpresën për të hyrë në Shtetet e Bashkuara

Rreth 800 emigrantë ndodhen tashmë në Tijuanë dhe shumë prej tyre thonë se do të qëndrojnë atje në pritje të pjesës tjetër të karvanit dhe të udhëzimeve nga drejtuesit e tyre mbi mundësitë për të kërkuar azil në SHBA. Disa nga të sapoardhurit shkuan në gardhin që ndan kufirn e Shteteve të Bashkaura me Meksikën për të festuar.

Pjesa më e madhe e grupit të emigrantëve, rreth 4,000 njerëz kryesisht nga Hondurasi, po ecin nëpër shtetin meksikan të Sonorës dhe pritet të mbërrijë në Tijuanë brenda pak ditësh.

Porti San Ysidro që lidh Tijuanë me qytetin e San Diegos në SHBA, është pikë-kalimi më i ngarkuar kufitar. Por ai pranon vetëm rreth 100 kërkesa për azil në ditë, ç’ka do të thotë se individët që do të zgjedhin këtë rrugë për të hyrë në Amerikë, do t’u duhet të presin për ditë të tpra.

Tijuana gjithashtu mund të përballet me vështirësi pasi strehimoret për emigrantëve atje thuajse janë mbushur plot.

Roja doganore dhe kufitare amerikane njoftoi të hënën se po mbyllte disa korsi të rrugës në pikë-kalimin e San Ysidro dhe në pikë-kalimin tjetër aty pranë të Otay Mesa-s për të shtuar masat e sigurisë në përgatitje për karvanin e emigrantëve dhe rrezikun e mundshëm të sigurisë që mund të shkaktohej. Këto masa përfshijnë barrikada dhe gardhe me tela.

Presidenti Donald Trump e ka kritikuar ashpër karvanin, duke e quajtur atë një emergjencë kombëtare. Të shtunën, ai nënshkroi një dekret me anë të së cilit emigrantëve që hyjnë në vend ilegalisht, nuk do t’u njihet e drejta për të kërkuar azil. Dekreti bie ndesh me ligjet që thonë se kushdo ka të drejtë të kërkojë azil, pavarësisht se si hyn në vend.

Bashkimi Amerikan për Liritë Civile dhe grupe të tjera, ngritën me shpejtësi një padi ligjore,duke kërkuar pezullimin e përkohshëm të dekretetit të presidentit, derisa çështja të kalojë nëpër gjykata. Qeveria do të paraqesë argumentat e saj të enjten dhe një gjykatës federal ka vendosur një seancë dëgjimore lidhur me kërkesën për pezullimin e përkohshëm të urdhërit për në 19 nëntor.

Presidenti Trump ka urdhëruar gjithashtu mijëra trupa në kufirin me Meksikën për të mbështetur agjentët e patrullimit të kufirit.

Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis dhe Sekretarja e Sigurisë, Kirsten Nielsen vizituan pjesën lindore të kufirit të mërkurën. Sekretari Mattis theksoi se siguria kufitare është pjesë e sigurisë kombëtare.

"Është padyshim një mision moral dhe etik për të mbështetur patrullimet kufitare. Njësitë tona janë në gjendje të mbështesin patrullat kufitare në misionin e tyre për zbatimin e ligjit."

Më shumë se 5,600 trupa aktive dhe 2,100 trupa të Gardës Kombëtare kanë shkuar në zonën kufitare SHBA-Meksikë në përgjigje të kërkesave për ndihmë nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare.

Personeli ushtarak i caktuar për të ndihmuar me sigurinë e kufirit ka ndihmuar me ngritjen e barrierave dhe mbështetje ajrore. Ushtria e ka të ndaluar të angazhohet në operacicone ligj-zbatuese brenda vendit, si arrestimi i emigrantëve që kalojnë kufirin.

Jimm Mattis u tha gazetarëve të mërkurën se ushtria amerikane ka një histori të gjatë të vendosjes në kufi. Ai theksoi vitin 1916, kur presidenti Woodrow Wilson vendosi trupa për të ndaluar kërcënimin që vinte nga trupat nën komandën e Panço Villës gjatë Revolucionit Meksikan dhe në vitin 1995, kur trupa të Gardës Kombëtare dhe disa qindra personel aktiv u caktuan për të ndihmuar organet ligj-zbatuese.

Sekretari Mattis nuk përmendi rastin e vitit1997, kur një oficer i marinës qëlloi një adoleshent nga Teksasi gjatë një operacioni kundër drogave përgjatë kufirit me Meksikën, duke bërë që Pentagoni të pezullonte operacionet e tij kundër drogës atje.

Përveç karvanit afër kufirit, dy të tjerë kanë hyrë në kryeqytetin e Meksikës me më shumë se 2,000 njerëz.

Meksika tha javën e kaluar se kishte lëshuar 2,697 viza të përkohshme për individë dhe familje, duke i lejuar ata të punonin gjatë kohës që shqyrtoheshin kërkesat e tyre për të marrë statusin e refugjatit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG