Lidhje

Vettingu në politikë, Komisioni i Venecias në Tiranë


Një mision i Komisionit të Venecias nisi sot takimet në Tiranë lidhur me propozimin e opozitës për ndryshimet në Kushtetutë ku të përfshihet verifikimi i pasurive dhe lidhjeve të politikanëve me botën e krimit. Komisioni i Venecias u përfshi në këtë çështje, pas një kërkese zyrtare nga parlamenti shqiptar, me nismën e shumicës së majtë e cila e konsideron të panevojshëm një masë të tillë përsa kohë sipas saj kuadri ligjor është i plotë me ndërhyrje që janë bërë me Ligjin për dekriminalizimin dhe Reformën në Drejtësi:

Misioni i Komisionit të Venecias, takime në Tiranë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:14 0:00

Pesë anëtarë të Komisionit të Venecias po mbledhin në Tiranë qëndrimet e palëve politike por dhe institucioneve kryesore lidhur me ndryshimet kushtetuese të propozuara nga opozita për verfikimin e pasurive të politikanëve dhe të lidhjeve të tyre me krimin. Ata u takuan me përfaqësuesit e të tre grupeve parlamentare, socialistët, demokratët dhe me Lsi-në. Ndërkohë që pritet të kenë bisedime dhe me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar dhe drejtuesit e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe Inspektoriatit të verifikimit të pasurive.

Opozita e kundërshtoi kërkesën për marrjen e një opinioni nga Komisioni i Venecias duke akuzuar socialistët se po kërkojnë ta zvarrisin çështjen. Dje gjatë një takimi në Berat, kryetari demokrat Lulzim Basha tha se përfaqësuesit e Komisionit të Venecias “janë munduar kot që kanë ardhur” duke shtuar se Partia Demokratike nuk kërkon “asgjë më shumë sesa standardi që ata miratuan për gjyqtarët dhe prokurorët”. Zoti Basha u duk se la të kuptohet që opinioni i Venecias nuk do ketë shumë rëndësi për opozitën, ndërsa tha se kjo çështje është për të “vija e kuqe”. Kur prej disa muajsh deputetët e saj nuk shkojnë në parlament, zoti Basha tha se “nëse duan zgjidhje institucionale, kjo është zgjidhje institucionale”.

Edhe kryetari i grupit parlamentar demokrat Edmond Spaho, nuk dha shpjegime të gjata pas takimit me misionin e Komisionit të Venecias duke theksuar se nuk duhet të ketë dy standarte: “Në këtë kuptim, shpjeguam me fakte se asnjë reformë në Shqipëri nuk do të ketë sukses nëse nuk shkëputen lidhjet e politikës me krimin e organizuar”

Më entuziastë nga takimi dukej se ishin socialistët. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja tha se ata e mirëpresin opinionin e Komisionit të Venecias “aq më tepër që të gjitha ndryshimet kushtetuese që ka ndërmarrë Shqipëria pas viteve ‘90, e këtu i referohem Kushtetutës së re të vitit 1998 por dhe ndryshimeve të mëvonshme kushtetuese në kuadrin e Reformës në Drejtësi dhe ligjit të Dekriminalizimit, ne vazhdimisht jemi konsultuar dhe kemi marrë opinionin miqësor të Komisionit të Venecias”.

Çështja e verfikimit të pasurive të politikab dhe lidhjeve të tyre me krimin pritet të merret në shqyrtim nga Komisioni i Venecias muajin e ardhshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG