Lidhje

Vrasja e oficerit në Lazarat, Apeli lë në fuqi dënimet


Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda në Tiranë, la të martën në fuqi 9 nga 11 dënimet e dhëna nga Gjykata e Shkallës së Parë për të ashtuquajturin “Grupi i Lazaratit”, pjestarët e të cilit u gjetën fajtorë për vrasjen e oficerit të forcave speciale Ibrahim Basha, qershorin e vitit 2015.

Vendimi u pasua nga një reagim i dhunshëm i familjarëve të të dënuarve, të cilët përdorën fjalë fyese ndaj trupit gjykuese si dhe sende të forta ndaj tyre brenda sallës. E njëjta klime pasoi dhe në mjediset jashtë gjykatës ndaj gazetarëve që gjendeshin aty.

Sipas vendimit, të vetmit që përfituan ulje ishin Alban Aliko i cili u dënua me 18 vite burg nga 20 vite që kishte dhënë Gjykata e Shkallës së Parë dhe Elson Kazma që u dënua me 17.6 vite burg nga 18 vite që ishte dënuar më parë. Gjykata e Apelit la në fuqi vendimet për personat e tjerë: dënim me brugim të përjetshëm për Albion Alikon dhe Bajram Boçin, 35 vite burg për Elvis Boçin,ndërsa për tjerët dënimet që shkonin nga 9 deri në 20 vite burg.

Të gjithë personat janë hetuar në “arrest me burg” dhe u gjetën përgjegjës për ngjarjen e 24 Qershorit të tre viteve më parë kur një automjet i policisë u qëllua tek hynte në fshatin Lazarat dhe për pasojë mbeti i vdekur oficeri i Forcave Speciale “Renea” Basha, ndërsa dy të tjerë u plagosën. Avokatët mbrojtës të të akuzuarve i kanë kundërshtuar përfundimet e gjykatës duke deklaruar se dënimi i tyre ishte i padrejtë pasi gjykata, siç u shprehën, nuk ka arritur të provojë se cili nga personat e dënuar e qëlloi për vdekje oficerin e Forcave Speciale Ibrahim Basha.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG