Lidhje

Klinikat falas dhe sistemi i kujdesit shëndetësor në SHBA


Çështja më e rëndësishme për shumë votues amerikanë në zgjedhjet e këtij muaji për kongres nuk ishte ekonomia, emigracioni apo Presidenti Donald Trump. Sipas sondazheve, shqetësimi kryesor për votuesit ishte kujdesi shëndetësor. Kjo është për arsye se edhe me programet e subvencionuara nga qeveria, miliona amerikanë nuk mund të përballojnë sigurimet e shëndetësore bazë. Korrespondenti i Zërit të

Ameriës, Bill Gallo njofton nga një klinikë që ofron shërbimeve falas në Çarlston të Virxhinias Perëndimore.

Susan Stephenson e kaloi gjithë natën në kamionin e saj në mënyrë që të ishte e para në radhë në këtë klinikë shëndetësore që ofron shërbime falas.

"Pastrova kamionin tim, bëra një ecje me qenin tim, dhe bëra disa biseda telefonike."

Për zonjën Stephenson dhe qindra të tjerë këtu në zonën e Çarlstonit, në Virxhinian Perëndimore, pritja në makinë gjatë gjithë natës për të marrë shërbim shëndetësor falas është opsioni i tyre i vetëm.

"Unë kurrë nuk kam patur sigurim shëndetësor. Asnjëherë. Këtu kujdesi shëndetësor është falas. Ia vlen të sakrifikosh disa orë gjumë, për të

shmangur pagimin e mijëra dollarëve", thotë Benny Cardenas, punonjës ndërtimi.

Shumë njerëz vijnë këtu për kujdesin dentar, sepse edhe për ata që kanë sigurim shëndetësor privat apo qeveritar, kostoja e kujdesit dentar shpesh nuk mbulohet.

Është një klinikë për njerëzit që nuk kanë zgjidhje të tjera.

"Vetëm një mbushje e dhëmbit kushton sa gati gjysma e qirasë. Kjo është një kosto shumë e lartë për trajtimin e një dhëmbi. Disa po më mungojnë dhe të tjerët po dëmtohen. Askush nuk dëshiron të punësojë një person në këtë gjendje ose ta shohë atë të ulur prapa një tavoline", thotë Ashley Bowman, banore Çarlstonit.

Kjo klinikë mjekësore në këtë zonë rurale, e drejtuar pothuajse tërësisht nga vullnetarët dhe e vendosur në një shkollë, ka ofruar trajtime

mjekësore falas për gati 800 vetë gjatë dy ditëve të fundit. Themeluesi i këtij rrjeti klinikash fillimisht kishte hapur këto lloje klinikash në Amerikën Latine, para se të kuptonte nevojën e madhe për shërbimet e tyre në vendin e tij.

"Mund të mbyllni sytë, të drejtoni gishntin në një cep të hartës së Shteteve të Bashkuara dhe nëse ne do të shkonim atje, do të shihnim të njëjtën gjë si këtu. Nevoja është e madhe, sidomos për kujdesin dentar dhe sytë, sepse shpesh shpenzimet për këto shërbime nuk mbulohen madje as nga sigurimet shëndetësore që shumë njerëz mund të kenë", thotë Robert Lambert, themelues i Mjeksësisë për Zonat Rurale.

Që nga miratimi i Ligjit të Kujdesit Shëndetësor në vitin 2010, numri i amerikanëve të pasiguruar në fakt ka rënë ndjeshëm.

Tani vetëm nëntë për qind e amerikanëve nuk kanë sigurim shëndetësor. Por ende, rreth 23 për qind e tyre nuk kanë sigurim dentar.

Klinikat shëndetësore falas si kjo nuk janë një zgjidhje afatgjate për problemin e kujdesit shëndetësor në Amerikë. Por, për shumë njerëz këtu në këtë klinikë në Çarlston, kjo është zgjidhja e tyre e vetme sepse diçka e thjeshtë si një palë syze të reja ose kujdesi për dhëmbët është një barrë e madhe financiare.

Edhe për ata që kanë sigurim shëndetësor, shpenzimet për këto shërbime janë të larta. Trajtimi që i duhej zonjës Susan Stephenson, do t’i kushtonte mijëra dollarë.

Pensionistja Rosemary Pauley po pret një palë syze të reja.

"Unë nuk mund ta përballojë koston e tyre. Kjo është e vetmja mënyrë që unë mund t'i marr ato. Pra, kjo është e gjitha që mund të bëj tani. Unë bëj atë që është e domosdoshme, ato që nuk mundem nuk i bëjë", thotë ajo.

Në total, kjo klinikë dy-ditore do të ofrojë 300,000 dollarë në shërbime mjekësore falas. Një zgjidhje e pjesërishme për një sistem të kujdesit shëndetësor që lë përjashta shumë njerëz

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG