Lidhje

Kritika pas qëndrimit të administratës ndaj vrasjes së Kashogit


Presidenti amerikan Donald Trump falënderoi të mërkurën Arabinë Saudite për uljen e çmimit botëror të naftës, një ditë pasi tha se Uashingtoni nuk do t’i kthejë shpinën Riadit, pavarësisht nga përgjegjësia që ka për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi i cili jetonte në SHBA.

Në një postim në twitter nga vendpushimi i tij në Florida, zoti Trump vlerësoi sauditët, për dërgimin e sasive të mjaftueshme të naftës në tregjet botërore për të mbajtur çmimet nën kontroll.

"Çmimet e naftës po vazhdojnë të ulen," shkruante zoti Trump në Twitter. "Gjë e mrekullueshme. Është si një masë e madhe për uljen e taksave për Amerikën dhe botën. Gëzojuni 54 dollarëve për fuçi ndërsa ishte 82. Faleminderit Arabia Saudite, por le të shkojmë edhe më poshtë!"

Përpara largimit nga Uashingtoni për festën e Falënderimeve, zoti Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se siguria kombëtare dhe interesat ekonomike mbizotërojnë mbi çdo shqetësim për të drejtat e njeriut. Ai tha se një kthim shpine ndaj Arabisë Saudite, pavarësisht vrasjes së Jamal Khashoggit "do të ishte një gabim i tmerrshëm".

"Do të qëndrojmë me Arabinë Saudite," tha zoti Trump. Ai vuri në dukje kundërshtimin që mbretëria i bën Iranit si dhe blerjet nga ana e saj të pajisjeve ushtarake amerikane që nënkuptojnë sipas tha "me qindra mijëra vende pune dhe miliarda dollarë investime".

Rusia dhe Kina "nuk do ta marrin atë dhuratë," tha zoti Trump përpara se të shtonte se çmimet e naftës do të rriteshin nëse marrëdhëniet e SHBA-së me sauditët do të prisheshin.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, në një intervistë për një stacion radiofonik, mbrojti qëndrimin e zotit Trump, duke vënë në dukje se Shtetet e Bashkuara i kishin vendosur sanksione 17 shtetasve sauditë që besohet se ishin përfshirë në vrasjen e gazetarit.

Këto deklarata pasuan raportet e CIA-s, e cila ka arritur në përfundimin se princi saudit i kurorës, Mohamed Bin Salman dha urdhër për vrasjen e gazetarit.

Vrasja brutale e gazetarit në konsullatën saudite në Stamboll ka mbërthyer interesin e botës prej shtatë javësh. Të martën pritej që administrata të mbërrinte në një konkluzion mbi fajtorët dhe ideatorët si dhe ndikimin e këtij akti në marrëdhëniet mes dy vendeve. Presidenti Trump e bëri të qartë se nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj Arabisë Saudite, megjithëse pohoi se Princi bin Salman mund të ketë qenë në dieni të operacionit për vrasjen e Kashogit dhe për zhdukjen e trupit të gazetarit.

“Për mua është një ekuacion shumë i thjeshtë. Unë dua ta bëj përsëri Amerikën të madhe. Për mua në plan të parë është Amerika”.

Duke përmendur marrëveshjen për t’i shitur Riadit armë si dhe naftën saudite, presidenti tha se nuk ka në plan të shkatërrojë ekonominë globale dhe të dëmtojë shanset e punësimit për amerikanët duke ndërmarrë “masa të palogjikshme” ndaj Arabisë Saudite.

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo i bëri jehonë qëndrimit të presidentit dhe nuk iu përgjigj direkt pyetjes se si bën dallim mes rolit të Arabisë Saudite dhe rolit të Princit bin Salman në këtë vrasje:

“Bota ka gjëra të shëmtuara, mizore. Sidomos Lindja e Mesme; por luhet me interesa të rëndësishme të Amerikës, me faktorë për sigurinë e amerikanëve”.

Deklaratat e administratës pasojnë raportet se CIA ka konfirmuar me besueshmëri të lartë se Princi bin Salman ka dhënë urdhër për vrasjen e Kashogit, e cila u krye nga njerëz të rrethit të tij të ngushtë. Analistë të politikës së jashtme e kritikuan ashpër reagimin e presidentit:

“Me një deklaratë të vetme, presidenti amerikan ka minuar komunitetin amerikan të zbulimit nga njëra anë dhe ka ngritur kredibilitetin e një regjimi që është bërë e qartë se ka ekzekutuar me një akt të paramenduar një individ me banim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara, një njeri të moralshëm, një korrespondent të Washington Postit dhe, për të qenë krejt transparent, një mik timin i cili pritej të bashkëpunonte me qendrën Wilson si gazetar arab,” thotë analisti Aaron David Miller.

Analisti Miller thotë se kjo mbështetje për princin e kurorës, pas vrasjes brutale të gazetarit bie ndesh me vlerat dhe interesat amerikane dhe krijon narrativin e gabuar ndërkohë që Princi bin Salman pritet të bëhet mbret i Arabisë dhe mund sundojë edhe për 50 vjet.

Kritika u shprehën edhe përmes medias sociale. Senatori Tim Kaine postoi një koment në Twitter. Ligjvënës nga të dyja partitë janë zotuar për masa më të forta kundër Arabisë Saudite kur të rikthehen në Uashington pas festës së Falenderimeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG