Lidhje

Tiranë: OSBE fton mediat për vetërregullim


OSBE i bëri sot thirrje autoriteteve shqiptare se duhet të dekriminalizojnë shpifjen në raport me median, duke kujtuar se ky është një rekomandim i hershëm i OSBE/ODIHR-it.

Drejtuesi i Zyrës së OSBE-së për Shqipërinë, Bernd Borchardt, tha se Kodi Penal nuk parashikon më dënim me burg, por gazetarët marrin gjoba dhe dënime penale në rast se shpallen fajtorë për shpifje.

Tiranë: OSBE fton mediat për vetërregullim dhe autoritetet për dekriminalizim të shpifjes
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:42 0:00

Mediat shqiptare, tha OSBE, nuk kanë arritur ende atë nivel profesionalizmi, sjelljeje etike dhe vetërregullimi kolektiv, që është i domosdoshëm për pavarësinë politike, financiare dhe editoriale në zhvillimin e mëtejshëm të tyre.

“Dispozitat e Kodit Civil janë më se të mjaftueshme për të dënuar shpifjen. Madje, edhe dispozitat e Kodit Civil mund të paraqesin rrezik dhe të frenojnë lirinë e shprehjes, nëse përdoren masivisht dhe si një sulm i gjerë kundër gazetarëve” - tha ambasadori Borchardt.

Ai u bëri thirrje përfaqësuesve të organizatave mediatike që të shmangin gazetarinë e kopjimit, të veprojnë kundër informalitetit në punësim, dhe kontrollit redaksional nga pronarët.

OSBE tha se radiotelevizioni publik duhet të funksionojë i pandikuar nga kontrolli politik, pasi roli i tij i vërtetë është të jetë partner i qytetarëve, i vetë shtetit, si edhe i sektorit tregtar.

OSBE mendon se liria e medias dhe liria e shprehjes nuk mund të përdoren si shfajësim për të përhapur shpifje dhe lajme të rreme sipas interesave të caktuar politikë dhe ekonomikë.

“Shoqatat e mediave, sindikatat e gazetarëve, pronarët e mediave duhet të përkrahin vetërregullimin e medias si alternativë ndaj rregullimit qeveritar të saj. Është më mirë të kemi një Kod Etike për Median që respektohet dhe zbatohet, se sa dispozita të Kodit Penal. Liria e medias kërkon standarde profesionale, të mishëruara në parime, rregulla dhe rregullore. Praktika më e mirë është që vetë gazetarët të hartojnë kode etike për median dhe t’i zbatojnë ato me anë të organizatave për vetërregullimin e medias”, - tha zoti Borchardt.

Aktualisht Shqipëria krahas shumë mediave radio - televizive ka edhe qindra faqe interneti që botojnë lajme të marra nga burime të paverifikuara. OSBE mendon se ato mund të shihen si shpifje, ndërsa pronësia dhe financimet e këtyre faqeve të internetit është jotransparente. Ndaj nevojitet rregullimi i mediave online në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Komentet e OSBE për gjendjen e mediave shqiptare vijnë ndërkohë që qeveria ka një projektuar një paketë ligjore kundër shpifjes, e cila synon në parim të shmangë keqkuptimet dhe keqinformimet prej shkrimeve të pakonfimuara, ndonëse ende nuk njihen shumë detaje mbi amendamentet ligjore të propozuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG