Lidhje

Rusia: Vendimi i Kievit për ligjin e luftës mund të rrisë tensionet


Rusia thotë se me vendimin për të futur në fuqi ligjin e luftës, Kievi mund të çojë në acarim të tensioneve në Ukrainën lindore. Moska reagoi sot lidhur me dekretin që nënshkroi Presidenti i Ukrainës dje për të vendosur ligjin e luftës, pasi Rusia mori nën kontroll tre anije ukrainase në Detin e Zi bashkë me ekuipazhin e tyre të dielën.

Rusia ka fajësuar fqinjin e saj, Ukrainën për acarimin e tensioneve në këtë rajon të trazuar. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov foli sot në Paris ku hodhi poshtë idenë e ndërmjetësimit ndërkombëtar për të zbutur situatën, të sugjeruar nga ministri i jashtëm gjerman. ​


“Situata u diskutua mbrëmë në një bisedë telefonike mes Presidentit Putin dhe Kancelares gjermane Angela Merkel, e cila i telefonoi presidentit. Ata arritën një farë mirëkuptimi, i cili besoj se do të përmbushet në të ardhmen e afërt. Nuk shoh nevojë për ndërmjetësues, mendoj se kjo është thjesht një çështje teknike”.

Aleatët perëndimorë kanë reaguar duke dënuar incidentin e fundit në Detin e Zi, kur të dielën Rusia qëlloi dhe më pas mori nën kontroll tre anije ukrainase dhe ekuipazhin e tyre, ndërkohë që lundronin nga Porti i Odesës në Detin e Zi, drejt Portit të Mariupolit në Detin Azov.

Të paktën gjashtë marinarë ukrainas u lënduan, ndërkohë që anijet dhe ekuipazhet e tyre vazhdojnë të mbahen nga rusët. Ukraina ka kërkuar kthimin e tyre të menjëhershëm.

Presidenti ukrainas reagoi duke dekretuar vendosjen e ligjit të luftës:

“Si president dhe si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës, unë përmbusha detyrën kushtetuese dhe pak orë më parë, me dekret, propozova që në të gjithë Ukrainën të vendoset ligji i luftës duke filluar nga 28 nëntori në 9 të mëngjesit,” tha Presidenti Petro Poroshenko.

Parlamenti e miratoi kërkesën e presidentit. Është hera e parë që Kievi ka marrë masa të tilla që kur shpërtheu konflikti me Rusinë lidhur me Krimenë dhe pjesën lindore të Ukrainës në 2014.

NATO dhe partnerët perëndimorë kanë shprehur përkrahje për Ukrainën dhe kanë dënuar veprimet e Moskës.

“I bëjmë thirrje Rusisë të lirojë menjëherë marinarët ukrainas dhe anijet që ka marrë. Po ashtu, bëjmë thirrje për qetësi dhe maturi,” u shpreh sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Në Nju Jork, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley i bëri thirrje Rusisë, gjatë një takimi të jashzakonshëm të Këshillit të Sigurimit të ndalë veprimet e paligjshme.

“Shtetet e Bashkuara do të mbajnë në fuqi sanksionet e tyre ndaj Rusisë lidhur me Krimenë. Një shkallëzim i mëtejshëm rus i kësaj natyre vetëm do t’i keqësojë gjërat,” tha zonja Haley.

Rusia tha se anijet ukrainase kishin provokuar me qëllim dhe kritikoi Presidentin Poroshenko që kishte kërkuar vendosjen e ligjit të luftës, duke thënë se ai po përpiqet të fitojë popullaritet pasi nuk gëzon mbështetje ndërkohë që afrojnë zgjedhjet e marsit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG