Lidhje

Meta vlerëson ish ambasadorin amerikan Arvizu


Në Tiranë, presidenti Ilir Meta, vlerësoi të martën, ish ambasadorin amerikan Alexander A. Arvizu me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”. Ky Titull ju dha me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë diplomatike dhe kontributit të tij të çmuar në përparimin e gjithanshëm të marrëdhënieve dypalëshe gjatë mandatit të tij si Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe në vijim si dhe për mbështetjen e pakursyer të procesit të integrimit euro-atlantik të vendit”.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së organizuar në mjediset e presidencës, zoti Meta vui theksin te marrëdhëniet e veçanta mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. “SHBA-të kanë pasur dhe vazhdojnë te kenë një rol vendimtar dhe një rëndësi vitale në historinë e shtetit shqiptar që prej krijimit të tij, për çka Shqipëria dhe shqiptarët do të jenë gjithmonë mirënjohës. Në këtë kontekst vendoset edhe kontributi i Ambasadorit Arvizu gjatë, por edhe pas shërbimit të tij diplomatik në Shqipëri”.

Zoti Meta, duke vënë në dukje rolin e ambasadorit Arvizu në përparimin e marrëdhënieve dypalësh, kujtoi vizitën në Tiranë të Sekretares të Shtetit, Hillari Klinton dhe fjalën e saj në Parlamentin Shqiptar për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Presidenti Meta tha gjithashtu se “Ambasador Arvizu ka një meritë të veçantë për mbështetjen e pakursyer të procesit të integrimit euro-atlantik të vendit si dhe për ndihmën efikase në përparimin e reformave kyçe, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar, por edhe reformën në drejtësi. Për reformën në drejtësi, që ka qenë kryefjala e viteve të fundit shtoi zoti Meta - do të theksoja në veçanti angazhimin e Tij jo shumë të dukshëm, por mjaft aktiv në detyrën e Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit për çështjet e drejtësisë dhe të luftës kundër drogës. Duke sugjeruar gjithmonë bashkëpunim dhe konsensus mes të gjitha palëve për realizimin e kësaj reforme madhore edhe gjatë dy vizitave të tij të kryera në Shqipëri”.

Ambasadori Arvizu shërbeu në Shqipëri nga Dhjetori i viti 2010 deri në Janar të vitit 2015.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG