Lidhje

Tiranë: Studim mbi pasqyrimin e reformës në drejtësi nga mediat


Instituti i Studimeve Politike ka kryer një monitorim mbi mënyrën e raportimit të medias për reformën në drejtësi.

Mediat ndërkombëtare në gjuhën shqipe Zëri i Amerikës VOA dhe DW dolën më mirë nga të gjithe mediat e tjera shqipe, sa i takon pavarësisë, paanshmërisë, thellësisë dhe profesionalizmit, sipas drejtuesit të Insitutit të Studimeve politike, Afrim Krasniqi.

“Reforma në drejtësi mbetet mbizotëruese në diskutimet politike e publike, pritshmëritë ndaj saj mbeten zhvillimi më i rëndësishëm politik në vend. Ligjërimi politik mbi drejtësinë ka ndikim në rritjen ose rënien e besimit publik tek drejtësia për shkak të mbi-pushtetit të partive” - thuhet në studimin e Institutit të Studimeve Politike.

Sfidë e ardhshme, sipas tyre, është maturimi i partive politike dhe adresimi drejt një ligjërimi më të moderuar politik.

“Aktorët politikë dhe institucionet munden e duhet t’u japin më shumë hapësirë ekspertizës shqiptare e perëndimore për informim real e transparencë dhe shnagir ikje nga retorikat boshe” - theksoi studimi.

Partitë dhe drejtuesit kryesorë politikë, sipas vëzhgimit, kanë një kurbë të njëtrajtshme të diskutimit, (mazhoranca në mbështetje dhe opozita me kritika), duke parë reformën në drejtësi si një shtojcë të politikës dhe jo si një proces i jashtëzakonshëm institucional.

“Reforma në drejtësi është një proces i pakrahasueshëm me proceset e tjera, ndaj edhe pranimi i saj si zhvillim jashtë politikës mbetet sfidë në muajt e ardhshëm” - thuhet në studim.

Partitë politike, mbështetëse apo kritikuese ndaj vettingut dhe reformës në drejtësi, sipas studimit, i përdorin fjalimet si mjet denigrimi e kërcënimi ndaj palës tjetër dhe jo si një mekanizëm transparence, përmirësimi dhe monitorimi.

“Secila palë ka hapësirën dhe detyrimin të moderojnë qëndrimet e veta: mazhoranca të vetëpërmbahet dhe ndalojë spekulimin me reformën për luftë të brendshme politike, opozita të ndajë aksionin politik ditor nga reforma në drejtësi dhe nevoja për reforma të njëjta në vend” - thekson raporti i Institutit të Studimeve Politike.

Mediat kryesore shqiptare, thuhet në raport, pasqyrojnë diskutimet, por shërbyen më shumë si shtojcë e ligjërimit politik sesa si institucione të jashtme, vlerësuese e monitoruese për politikën dhe drejtësinë.

“Mediat ndërkombëtare “VOA” dhe “DW” vijojnë të jenë dukshëm më të pavarura dhe më profesionale në raportimet e tyre mbi reformën në drejtësi, sesa mediat brenda vendit. Mediat vendase nuk zgjeruan ekspertizën juridike mbi drejtësinë dhe problematikat e saj, duke nxjerrë ligjërimin politik përpara ligjërimit profesional e teknik” - theksoi raporti.

Të dhënat e monitorimit, tregojnë, sipas ekspertëve, mungesën e njohurive mbi konceptet bazë të reformës në drejtësi, të institucioneve të drejtësisë, të vettingut dhe të elementëve thelbësorë të reformës, qoftë nga aktorët politikë ashtu edhe nga media dhe aktorët e tjerë publikë. Kjo tregon se nevoja për informim publik dhe rritje të kulturës së ligjit mbeten sfidë për reformën në drejtësi.

“Faktori ndërkombëtar vijon të ketë rol udhëheqës në reformën në drejtësi dhe në procesin e vettingut. Ai është kurdoherë i pranishëm, i cituar, i referueshëm dhe me ndikim në axhendën e politikës dhe të medias. Faktori ndërkombëtar përdor ligjërim standard, mbështetës, por edhe statik në lidhje me problematikat e vazhdueshme teknike, që dalin gjatë jetësimit të reformës në drejtësi’ - thuhet në studimin e Institutit të Studimeve Politike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG