Lidhje

Raporti i qendrës kërkimore PEW mbi emigracionin


Numri i emigrantëve të pa dokumenta në SHBA ra në nivelin më të ulët në 10 vjet në 2016-ën, raporton Qendra Kërkimore Pew. Duke përdorur të dhënat e qeverisë, qendra Pew arrin në përfundimin se midis viteve 2007 dhe 2016, numri i emigrantëve pa dokumente në SHBA ra nga 12.2 milionë në 10.7 milionë. Qenda Pew, një fondacion i pavarur e jo partiak, ia atribuon këtë rënie prej 1.5 milionë emigrantësh – pakësimit të numrit të meksikanëve që kalojnë kufirin e SHBA-së në mënyrë të paligjshme. Megjithatë, numri i emigrantëve nga El Salvadori, Guatemala dhe Hondurasi që përpiqen të kalojnë ilegalisht nga Meksika, është duke e bërë Amerikën Qendrore të vetmin rajon me rritje të imigrimit në periudhën 10-vjeçare të studimit.

Numri i imigrantëve pa dokumenta nga Amerika Qendrore në Shtetet e Bashkuara u rrit me rreth 375,000 - nga 1.5 milionë në vitin 2007 në 1.85 milionë në vitin 2016. Gjithashtu, edhe numri i emigrantëve të ndaluar në kufirin SHBA-Meksikë, është rritur nga 54,000 në vitin 2007 në 165,000 në vitin 2017. Por raporti i organizatës Pew thotë se këto shifra janë më të ulta se ato të vitit 2014, kur ky numër ishte 239,000.

Vonesat e vizave

Për shkak se numrat në përgjithësi po bien, popullsia e tanishme e emigrantëve të paautorizuar është më e ulët se 10 vjet më parë, veçanërisht e atyre të ardhur nga Meksika, ky vend ende është përgjegjës për gjysmën e popullsisë pa dokumente në SHBA.

Ja disa nga gjetjet e tjera të raportit:

  • Dy të tretat e emigrantëve të paautorizuar të rritur kanë jetuar në SHBA për më shumë se 10 vjet
  • Numri i punëtorëve emigrantë të paautorizuar ka rënë, së bashku me pjesën e tyre të fuqisë punëtore të SHBA-së ndërmjet viteve 2007 dhe 2016
  • Ndërsa emigrantë të paautorizuar vazhdojnë qëndrimet e tyre në SHBA, ka më shumë fëmijë të lindur në SHBA - 43 për qind në 2016, krahasuar me 32 për qind në vitin 2007

Ndërsa kufiri SHBA-Meksikë ka qenë në qendër të vemendjes së administratës Trump dhe mediave javët e fundit, raporti i organizatës Pew thotë se shumica e emigrantëve të paautorizuar hyjnë në SHBA me viza të ligjshme dhe qëndrojnë në vend pas përfundimit të vizave. "Këta ka të ngjarë të jenë njerëz që i kanë tejkaluar vizat e tyre, që janë shtuar ndjeshëm midis viteve 2007 dhe 2016, deri në pikën ku ata ndoshta përbëjnë shumicën e të ardhurve të fundit të paautorizuar të emigrantëve në vitin 2016", thuhet në raport.

Raporti i fundit mbi ata që tejkalojnë vizën e qëndrimit tregon se më shumë se 700,000 vizitorë me viza të skaduar duhet të ishin larguar në vitin fiskal 2017. Raporti i organizatës Pew thotë se 90 përqind e shkelësve të vizave janë nga vende të tjera, përveç Meksikës ose Amerikës Qendrore.

Dëbimet

Dëbimet, që arritën kulmin në vitin 2013, mund të kishin luajtur një rol në zvogëlimin e popullsisë pa dokumente.

Raporti i organizatës Pew vëren se numri i deportimeve u rrit gjatë administratave George W. Bush dhe Barack Obama - nga 211,000 në 2003 në një rekord 433,000 në vitin 2013, sipas statistikave të Departamentit të Sigurisë Kombëtare. Në vitin fiskal 2016, u deportuan mbi 300,000, shumica e tyre nga Meksika dhe tre vendet e trekëndshit verior të Amerikës Qendrore (Salvadori, Guatemala dhe Hondurasi) "Dëbimet duket se kanë rënë që atëherë, bazuar në statistika të kufizuara," thotë raporti, duke cituar një rënie prej 17 përqind nga viti 2016 deri në vitin 2017.

"Pothuajse 230,000 emigrantë pa dokumenta u deportuan, duke përfshirë një rënie të numrit të atyre që u ndaluan në kufirin SHBA-Meksikë, si dhe një rritje të numrit të atyre që u arrestuan në brendësi të Shteteve të Bashkuara", thuhet në raport.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG