Lidhje

Hetimi mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane


Hetimi për Rusinë i drejtuar nga prokurori i posaçëm Robert Mueller duket se po hyn në një fazë të re pas pranimit të fajësisë javën e kaluar nga Michael Cohen, i cili prej kohësh ka qenë avokati personal i Presidentit Donald Trump. Analistët po debatojnë tani nëse hetimi për Rusinë është duke shkuar drejt përfundimit dhe nëse po, cilat mund të ishin rrjedhojat për presidentin dhe për vendin.

Në një seri komentesh në Twitter të hënën, Presidenti Trump sulmoi ashpër prokurorin e posaçëm Robert Mueller dhe ish-avokatin e tij personal Michael Cohen.

Javën e kaluar Cohen pranoi fajësinë se gjatë dëshmive në Kongres kishte gënjyer në interes të Presidentit Trump, duke mos u treguar të vërtetën ligjvënës për një projekt ndërtimi në Rusi, ndërkohë që zoti Trump kandidonte për president.

Presidenti tha se nuk është i shqetësuar për ato që ish-avokati i tij mund t'u tregojë hetuesve.

"Jo. Aspak. Nuk jam fare i shqetësuar," tha ai.

Pranimi i fajësisë nga zoti Cohen e çon më tej hetimin, për të parë lidhjet e mundshme ndërmjet zotit Trump dhe Rusisë, thotë senatori demokrat i Virxhinias, Mark Warner:

"Ky është një tjetër shembull se si njëri prej aleatëve më të afërt të presidentit gënjen rreth lidhjeve të tyre me Rusinë dhe me rusët".

Senatori Warner dhe Senatori Republikan i Karolinës së Veriut Richard Burr kryesojnë hetimin e një komisioni të senatit rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

"Mandati ynë është që në fund të kësaj t’i afrohemi sa më shumë të vërtetës. Dhe këtë nuk mund ta bëjmë me hamendje, por me fakte", thotë senatori Burr.

Zhvillimet e fundit lënë të kuptohet se hetimi për Rusinë i drejtuar nga prokurori i posaçëm Robert Mueller ndoshta po i afrohet pikës kulmore, thotë analisti Ric Simmons.

"Pres që të shohim një lloj përfundimi të hetimit brenda disa muajve të ardhshëm. Megjithatë, zoti Mueller nuk ka një afat kohor që caktuar me ligj dhe as është i detyruar të na thotë, prandaj nuk mund ta dimë me siguri".

Pranimi i fajësisë nga zoti Cohen dhe paditë e tjera të ngritura në këtë hetim nga prokurori i posaçëm e kanë forcuar besueshmërinë e hetimit për Rusinë, edhe pse presidenti vazhdon ta quajë atë një gjueti shtrigash.

Ja ç’thotë eksperti Doug Spencer:

"Mendoj se kjo ia shton më shumë legjitimitetin hetimit dhe se në fakt shohim shumë tym në këtë aspekt të veçantë që meriton të hetohet. Mendoj se kjo hedh poshtë pretendimet se ky hetim është një trillim apo një gjueti shtrigash".

Zoti Mueller nuk ka thënë se në ç’fazë është hetimi, por 2019a mund të jetë një vit i rëndësishëm, thotë analisti Simmons:

"Ai ka bërë shumë punë me dëshmitarë të tjerë që kanë pranuar të tregojnë dhe ka muaj që punon me ta. Prandaj pres të shohim që kjo të përfundojë brenda disa muajve të ardhshëm".

Hetimi mund të arrijë një pikë kulmore tani që demokratët do të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe ndërsa presidenti përgatitet të rikandidojë për rizgjedhje në vitin 2020.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG