Që nga fillimi i lëvizjes #MeToo nga fundi i vitit 2017, simboli i kësaj lëvizjeje është përdorur për të treguar për abuzimet dhe ngacmimet seksuale në vendin e punës, në mbarë botën. Aktorja amerikane Rose McGowan dhe poetja koreanojugore Choi Young-me diskutuan për këtë lëvizje dhe sfidat e saj, me korrespondentin e Zërit të Amerikës në Seul, Steve Miller:
Ishte vala e akuzave për sjellje të papërshtatshme seksuale kundër manjatit të Hollivudit Harvey Weinstein në vitin 2017, që solli fillimin e lëvizjes #MeToo.
Aktorja dhe aktivistja amerikane e kësaj lëvizjeje, Rose McGowan, thotë se po shënohet përparim për personat e prekur prej abuzimit të pushtetit, por shton se diskutimet e tanishme janë vetëm fillimi.
"Kjo lëvizje e ndryshoi tërësisht tonin e bisedave dhe balancën e pushtetit. Shoqëria duket se ndreqi vetveten duke nxjerrë në dritë këto të vërteta. Nëse kaq shumë njerëz, jo vetëm gra, janë prekur nga ky fenomen, kjo tregon se kemi patur një shoqëri të sëmurë, që duhet ta shërojmë; pikërisht këtë jemi duke bërë," - thotë aktorja.
Poetja dhe romancierja jugkoreane Choi Young-me ((CHEH Young-mee)) është një anëtare active e lëvizjes #MeToo në Korenë e Jugut.
Kjo lëvizje nuk ka sjellë shumë ndryshime në Korenë e Jugut, por zonja Choi sheh disa përmirësime:
“Nuk mendoj që ka patur shumë ndryshime, por kam dëgjuar që ngacmimet seksuale në vendin e punës po pakësohen përherë e më tepër; po ashtu kultura në vendin e punës po ndryshon për të shmangur akuzat për ngacmime,"- thotë ajo.
McGowan thotë se një nga pengesat më të mëdha në zbatimin e ndryshimeve janë mediat, që i kanë vënë burrat kundër grave:
“Nuk ka përse të ndodhë kështu. #MeToo u krijua si forum për të diskutuar eksperienca të ngjashme. Kështu të ka ndodhur? E njëjta gjë edhe me mua…"- thotë ajo.
Ndarja e këtyre eksperienacve me të tjerë nganjëherë mund të jetë e vështirë në Korenë e Jugut, sidomos kur vjen momenti për të shkuar në gjykatë, thotë shkrimtarja Choi.
“Më e frikshmja më duket kur humbet gjyqin. Po sikur dëshmitari të mos tregojë të vërtetën në gjyq? Ata do ta mbajë premtimin për të dëshmuar? A mund të japë dëshmi të rreme, ngaqë burri i akuzuar vazhdon të jetë njeri me influencë?"- thotë ajo.
Zonja Choi thotë se është e nevojshme që qeveria jugkoreane të krijojë një sistem për parandalimin e ngacmimeve seksuale dhe të ketë ligje që fuqizojnë viktimat, për t'i vënë para përgjegjësisë të akuzuarit.
Aktorja McGowan shton se është e nevojshme që kjo lëvizje të vazhdojë:
“Është dashur guxim i madh. Njerëzve u duhet të kuptojnë se të jesh i guximshëm nuk do të thotë se nuk prekesh nga frika, por se e merr këtë hap, sado i vështirë qoftë ai."- thotë aktorja dhe aktivistja e Lëvizjes #MeToo, Rose McGowan.
Facebook Forum