Lidhje

Protestë e studentëve, qeveria heq tarifën


Në Shqipëri ministrja e Arsimit Lindita Nikolla njoftoi sot se qeveria brenda ditës së sotme do të heqë dorë nga vendimi i mëparshëm i cili parashikonte tarifa shtesë për lëndët e prapambetura. Ajo e bëri njoftimin ndërsa për të dytën ditë radhazi, studentët të universiteteve publike të Tiranës ishin mbledhur para zyrës së saj për të protestuar pikërisht për këtë tarifë, e cila parashikon një pagesë prej 670 lekësh për çdo kredit në lëndët e mbartura. Protestës së studentëve të universiteteve të Tiranës i janë bashkuar sot dhe të rinjtë e universiteteve të Durrësit, Korçës, Elbasanit dhe të Fakultetit Juridik të Shkodrës.

Tiranë, studentët protestojnë për tarifat
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:49 0:00

Kjo është dita e dytë e protestës, e cila sot përfshiu një numër më të madh studentësh. Reagimi pasoi qëndrimin e djeshëm të ministres së Arsimit, sipas së cilës Vendimi i Qeverisë i majit të 2018, do të aplikohet vitin e ardhshëm, dhe se ai është marrë në bazë të kërkesës së vetë universiteteve, për të demotivuar mbartjen e lëndëve. Ajo u shpreh se koha është e mjaftueshme për ta diskutuar këtë çështje, duke qenë se bëhet fjalë për vitin e ardhshëm dhe se nëse universitetet do dëshironin që kjo të mbetej një tagër vetëm i tyre, qeveria është e gatshme ta rishikojë. Ndërsa kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në Tëitter bëri të ditur se ministrja Nikolla u ka sugjeruar universiteteve të konsiderojnë rishikimin e Vendimit të Qeverisë.

Vendimi i njoftuar sot për heqjen e kësaj tarife, nuk e ndërpreu protestën para ministrisë së Arsimit. Studentët kërkojnë dhe “përgjysmim të tarifës së studimit, përmirësim të kushteve të konvikteve si dhe përfaqësimin e tyre me një anëtar në Bordet e administrimit të fakulteteve”. Përsa i përket përgjysmimit të tarifës zonja Nikolla shpjegoi se ky është një vendim që merret nga Universitetet, ndërsa u shpreh se sipas saj në asnjë vend studentët nuk përfaqësohen në Bordet e administrimit. Lidhur me kushtet nëpër konvikte ajo e cilësoi të drejtë kërkesën duke shpjeguar megjithatë se qeveria nga viti në vit po investon për këtë.

Për situatën e krijuar ka folur sot dhe presidenti Ilir Meta, i cili “u bën thirrje autoriteteve dhe institucioneve pergjegjëse të dëshmojnë ndjeshmërinë dhe pergjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve që shqetësojnë studentët, në përputhje me kuadrin ligjor dhe të frymës së dialogut për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të drejtë në interesin më të mirë public”, theksohet në deklaratën e Kreut të Shtetit, sipas të cilit “duhen bërë më shumë përpjekje për një arsim dhe edukim sa më cilësor, që garanton shanse të barabarta për të gjithë, pavarësisht mundësive të tyre financiare. Rinia – shprehet presidenti Meta - është aseti ynë me i çmuar kombëtar, ndaj dhe kujdesi ndaj shqetesimeve dhe aspiratave të tyre duhet të jetë prioritet i të gjithëve, sidomos i institucioneve”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG