Lidhje

Tiranë: Dita 15 e protestave studentore. Komentojnë protagonistë të Dhjetorit '90


Protestat e studentëve të universiteteve publike kapërcyen ditën e 15, bashkë me braktisjen e auditorëve dhe vendosmërinë e tyre, për të vazhduar tubimet deri në përmbushjen e kërkesave të tyre ekonomike dhe akademike.

Por si i shohin këto protesta disa nga protagonistët e lëvizjes studentore antikomuniste të Dhjetorit 1990.

Dita 15 e protestave studentore, flasin protagonistë të dhjetorit ‘90
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:55 0:00

Një nga më të njohurit mes tyre, Bislim Ahmetaj, thotë se protestat e sotme janë të ngjashme me ato të fundit të diktaturës.

Ai tani është baba i dy studentëve, që i mbështet financiarisht me vështirësi të mëdha dhe pedagog në universitetin e Durrësit ku nuk ka fare fjetina dhe as transport publik.

“Kërkesat ekonomike e studentëve janë krejtësisht legjitime. Shkak i kësaj situate është kjo politikë e keqe, kokëforte dhe arrogante, që ka ndërtuar kryeministri i kanabisit, dhe trekëndëshi i të keqes Rama-Basha-Meta duhet thyer patjetër” - tha Bislim Ahmetaj, pedagog dhe drejtues i grupimit “DHJETOR ‘90”.

Ndërsa protagonisti tjetër i lëvizjes studentore të 1990, Ilir Dizdari, thotë se studentëve të sotëm protestues u duhet dhënë patjetër përgjigje pozitive, sepse i përkasin asaj pjese të shoqërisë që nuk mendojnë të largohen nga atdheu dhe e shohin të ardhmen e tyre këtu.

“Këta studentë këtu po kërkojnë disa të drejta, që nuk besoj se ka njeri në Shqipëri që mund t’ua mohojë. Vet kryeministri po thotë se është me studentët dhe se do t’ua plotësojë kërkesat. Por çfarë ka ndodhur? Gjatë këtyre 28 vjetëve këta politikanë i kanë ngushtuar përherë e më shumë të drejtat njerëzore studentëve dhe qytetarëve. Ndaj këta kanë dalë këtu por nuk janë vetëm, kanë prindërit, miqtë dhe familjarë të tjerë, ashtu si unë që jam baba dhe kam fëmijët studentë” - tha zoti Dizdari.

Zoti Ahmetaj nga ana tjetër thotë se për gjendjen e rëndë të krijuar tek rinia universitare dhe shoqëria në tërësi, që po largohet nga vendi janë njësoj përgjegjës si shumica ashtu edhe opozita.

“Patjetër që i bëj njëlloj fajtorë të dy palët, si pozitën edhe opozitën. Nuk ka ndodhur kurrë të mos pranohen drejtuesit e opozitës në një protestë studentore, sepse janë politikanë që i kanë futur duart në xhepat e qytetarëve. Ky vendim i tyre ka qenë një prejçelësave të kësaj proteste: Jo negociatave, jo bisedimeve, sepse nuk mund të dialogohet me një person që i ka të gjitha mundësitë që për një 15 minutësh të plotësojë kërkesat e studentëve. Dhe nga ana tjetër nuk mund të kërkosh mbështetjen e atyre që kanë futur duart në xhepat e prindërve të këtyre studentëve” - tha zoti Ahmetaj.

Ndërsa zoti Dizdari e gjen të keqen më thellë në kohë tek ndryshimet e Kushtetutës së vitit 2008, që u kryen nga dy partitë e mëdha.

“Këta studentë sot kanë dalë për të shembur një sistem tjetër, që u instalua në Shqipëri, duke arritur kulmin në vitin 2008, kur dy partitë e mëdha prishën rregullat e demokracisë në Shqipëri, duke imponuar një sistem bipartiak, me të cilën komandojnë dhe kontrollojnë gjithë jetën politike në Shqipëri. Të gjithë të tjerat: oligarkia financiare, grupet e interesit që luajnë me politikën ndihmohen nga sistem. Pra janë prishur rregullat e lojës në demokraci, ndaj studentët kanë dalë për më shumë demokraci” - tha zoti Dizdari.

Ndërsa studentët vazhdojnë protestat, edhe kryeministri Edi Rama vazhdon përpjekjet për të ndërtuar një komunikim me protestuesit, edhe pse ata theksojnë se nuk duan negociata dhe se nuk kanë përfaqësi.

Ai ishte sot në universitetin e Vlorës përkrah me rektorin dhe pedagogë e studentë, ku një pjesë e konsiderueshme studentësh braktisën takimin dhe shumë prej folësve theksuan se kërkesat e tyre janë bazike dhe nuk kanë nevojë të diskutohen gjatë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG