Lidhje

Dëbimi i diplomatëve iranianë, Trump përgëzon Tiranën


Presidenti amerikan Donald Trump ka përshëndetur qeverinë shqiptare për vendimin e saj për të dëbuar ambasadorin e Iranit në Shqipëri dhe një tjetër diplomat Iranian, të dyshuar si të përfshirë në aktivitete terroriste. Në një letër dërguar Kryeministrit Edi Rama, presidenti Trump e falenderon “për përpjekjet tuaja të palëkundura duke iu kundërvënë Iranit dhe duke iu kundërpërgjigjur veprimeve e përpjekjeve të tij destabilizuese për t’u mbyllur gojën disidentëve anembanë globit. Udhëheqësia e treguar nga ju me dëbimin e Ambasadorit të Iranit nga vendi juaj është shembull i përpjekjeve tona të përbashkëta për t’i treguar qeverisë iraniane se veprimet e saj terroriste në Evropë dhe përreth botës do të kenë pasoja të rënda”, shkruan presidenti amerikan, duke shtuar se “Shqipëria ka qenë gjithmonë një mike e madhe e Shteteve të Bashkura dhe unë mirëpres rritjen e partneritetit tonë, ndërsa ballafaqohemi me çështjet e shumta të rëndësishme që të dy vendet tona hasin”.

SHBA përshëndesin Shqipërinë për dëbimin e diplomatëve iranianë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:34 0:00

Teksti i letrës u publikua nga ambasada amerikane në Tiranë e cila gjithashtu përgëzon “Qeverinë e Shqipërisë për arsye se ndërmori veprime kundër regjimit iranian për komplotin e tij terrorist në tokën shqiptare, duke kërcënuar sigurinë evropiane”.

Njoftimi për vendimin e qeverisë shqiptare, u bë i ditur dje nga Ministria e Jashtme sipas së cilës dy diplomatët iranianë u shpallën të padëshiruar, pasi dyshohen të jenë përfshirë në aktivitete që cënojnë sigurinë në vend. Vendimi për shpalljen e diplomatëve iranian si të padëshiruar – sqaroi më tej Ministria e Jashtme shqiptare - është marrë në konsultim me vendet aleatë, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik”.

Vendimi u përshëndet që mbrëmë nga Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo. “Përgëzoj dëbimin nga kryeministri Rama të dy agjentëve iranianë, që planifikuan sulme terroriste në Shqipëri. Vendet europiane kanë parandaluar tre komplote iraniane të planifikuara vetëm këtë vit. Bota duhet të qëndrojë e bashkuar për sanksionet ndaj regjimit të Iranit, deri sa ai të ndryshojë veprimtarinë shkatërrimtare”, shkroi Sekretari e Shtetit, në një status në Twitter.

Edhe Këshilltari i presidentit Trump për Sigurinë, John Bolton sipas të cilit me vendimin e tij, kryeministri Rama “u tregoi udhëheqësve të Iranit që mbështetja e tyre për terrorizmin nuk do të tolerohet. Ne jemi përkrah zotit Rama dhe popullit shqiptar teksa ata kundërshtojnë sjelljen e padëshiruar të Iranit në Europë dhe në gjithë botën” shkroi zoti Bolton.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG