Lidhje

Presidentët Trump, Erdogan koordinojnë tërheqjen e trupave amerikane nga Siria


Presidenti amerikan, Donald Trump thotë se Turqia do të eliminojë pjesën e mbetur të Shtetit Islamik në Siri, pasi ushtria amerikane të tërheqë trupat e saj.

Në një mesazh të Twitter, zoti Trump tha se Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan "më ka pohuar me forcë se do të çrrënjosë atë që ka mbetur nga ISIS në Siri... ai është një njeri që mund ta bëjë këtë dhe përveç kësaj, Turqia është fare pranë”.

"Trupat tona po kthehen në shtëpi!”, shtoi zoti Trump.

Më herët të dielën, zoti Trump tha se dy udhëheqësit diskutuan për planin e tij të tërheqjes, në një telefonatë “të gjatë dhe produktive”.

Zoti Trump dha pak detaje për bisedën.Por në Twitter, ai shkruante se diskutoi me zotin Erdogan lidhur me Shtetin Islamik, tregëtinë dhe atë që ai e quajti “tërheqje graduale dhe shumë të koordinuar të trupave amerikane nga zona”.

Zyra e presidentit turk Erdogan, tha përmes një deklarate se ai dhe zoti Trump kishin rënë dakord për të "siguruar koordinimin mes zyrtarëve ushtarakë, diplomatë dhe të tjerë të dy vendeve për të shmangur një hendek të mundshëm pushteti, që mund të pasonte shfrytëzimin e rastit pas tërheqjes dhe fazes së tranzicionit në Siri”.

Në fund të javës së kaluar, zoti Erdogan tha se Turqia po shtyn operacionin kundër forcave kurde në Siri, pas vendimit të zotit Trump.

Presidenti Trump ka deklaruar se Shteti Islamik është mposhtur dhe thotë se është koha që anëtarë të tjerë të koalicionit anti-islanmik të kontribuojnë në spastrimin e pjesëve të mbetura të tij.

Por vendimi i tij për ikur nga Siria ka ngjallur reagime negative në Uashington, edhe brenda administratës së tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG