Lidhje

Tiranë: Ndryshimet në qeveri, reagojnë analistët


Dervishi, Preci, Krasniqi

Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, thotë se ndryshimet në qeveria erdhën prej nivelit të lartë të protestave nga grupime te ndryshme shoqërore dhe prej nevojës së kryeministrit për të menaxhuar situatën brenda Partisë Socialiste.

“Problemi kryesor mbetet te Ministria e jashtme dhe ajo e financave, të cilat kanë një peshë specifike në vendim-marrjen e Shqipërisë. Ministri i ri i jashtëm është një person ekspert, por pa përvojë në marrëdhëniet politike dhe diplomatike. Për herë të parë kemi një ministër të jashtëm që vjen nga kosova; është një lloj politike simbolike e zotit Rama për të tërhequr vëmendjen brenda shqiptarëve dhe përpjekje për të hyrë në histori si njeri që bën eksperimente me qeverinë. Por nuk dihet nëse është zgjedhja e duhur. Dosje të shumta presin në politikën e jashtme si dhe veprimtaria e Shqipërisë në raport me Bashkimin Europian” - tha zoti Krasniqi.

Edhe për analistin Lutfi Dervishi, protestat janë shkaku kryesor i largimit të 7 ministrave, por edhe për të i papritur dhe i veçantë mbetet largimi nga detyra i ministrit të jashtëm Ditmir Bushati.

“Largimi i zotit Bushati të bën përshtypjes, sepse ai ka qenë i vetmi zë zyrtar në qeverinë e Shqipërisë, që u shpreh në fund të muajit gusht në çastet e para sapo u artikulua ideja e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Ndryshe nga kryeministri, i cili ka qenë i hapur dhe në mbështetje të dialogut të nisur , ministri i jashtëm ishte i pari që artikuloi “Kutinë e Pandorës” dhe artikuloi edhe idenë që “Shqipëria nuk duhet të shqetësohet shumë për ecurinë e procesi të integrimit të Serbisë në raport me Bashkimin Europian” - tha zoti Dervishi.

Ndërsa drejtuesi i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, thotë se ndryshimet e kabinetit qeveritar në fushën e ekonomisë synojnë të zbehin kritikat dhe portestat e publikut për abuzimet e qeverisë me tenderat dhe fondet, si dhe lidhjet e saj klienteliste me një numër oligarkësh.

“Protestat e studentëve përcollën shqetësimet e shoqërisë dhe popullit në tërësi dhe treguan urinë e madhe për reforma në vend, të cilat kanë munguar. Për fat të keq, qeverisja e sotme është më shumë e mbështetur te propaganda, te paraqitja vizuale e një shou mediatik, që vazhdon pa fund, por që nuk sjell fryte sa i takon punësimit vetëpunësimit, rritjen e biznesit vendas, nxitje të aftësisë eksportuese të ekonomisë sonë kombëtare, aftësisë së saj konkurruese etj” - tha zoti Preçi.

Ndryshimet e fundit të kabinetit qeveritar, sipas studiuesit Afrim Krasniqi, nuk erdhën pas ndonjë analize të bërë mbi difektet e qeverisjes, ndaj ato do të mbeten përsëri aty, duke nisur dhe mbaruar te fusha ekonomike.

“Ministria e financave dhe ekonomisë duhet të ishin motori i zhvillimit. Fakti që po kalohet nga një ministër politik pas një numri të madh skandalesh, tek një figurë krejt e re dhe pa përvojë në drejtim politik dhe nivele të larta qeveritare, është gati gati një eksperiment, që na tregon se kryeministri do të drejtojë vetë këto sektorë dhe se ministrat e rinj do të jenë vetëm formalisht në funksionin e tyre. Ndryshimet e reja në qeveri nuk sjellin ndonjë nivel të ri qeverisje dhe nuk sjellin zgjidhjen e problemeve. Problemet ngelen, ndërkohë që ministrat largohen” - tha zoti Krasniqi.

Edhe për studiuesin Zef Preçi, krahas diplomacisë, është ekonomia fusha më problemtatike, ku duhet përqëndruar vëmendja më e madhe, sepse aty kërkojnë dhe shohin të gjithë shtresat e shoqërisë.

“Qeverisja e kësaj periudhe nuk ka sjellë frytet e dëshiruara, dhe ka një përqëndrim të madh të tenderave, të vendimmarrjeve në një grup të kufizuar operatorësh ekonomikë, firmash kliente të qeverisë dhe të kryeministrit. Sjellja e figurave të panjohura pa karrierë administrative apo përvojë qeverisëse, që është zero tek ndërrimet e fundit. Këto synojnë të japin një përgjigje shqetësimëve të studentëve dhe opinionit publik për keqqeverisjen e kësaj periudhe dhe njëkohësisht të krijojë një shkëputje e një distancë nga autorët e problemeve” - tha zoti Preçi.

Një numër i konsiderueshëm i ministrave të rinj nuk kanë përvojë politike dhe administrative, janë të panjohur dhe si të tillë, thnë analistët, janë zgjedhja e kryeministrit për të tërhequr vëmendjen dhe për të fituar kohë derisa të kapërcehet kriza aktuale dhe një numër i madh skandalesh financiare, që u regjitruan këtë vit.

“Përtej ndryshimeve të thella në kabinet, pyetja e vërtetë është: A ka ndryshuar qasje ndaj qeverisjes vet kryeministri Rama? Në mënyrë të rregullt ai mban sondazhe që mund të tregojë se është në përparësi ndaj forcave të tjera politike, por në të vërtetë doli krejt i zbuluar përballë studentëve dhe ndaj protestave të tjera. Mësimi i dytë i këtyre ndryshimeve në qeveri është që përballë një lëvizje të madhe, përballë një skandali është më mirë të japësh dorëheqjen se sa të presësh ditën e shkarkimit” - tha zoti Dervishi.

Analistët pohojnë se qytetarët presin një qeverisje të vërtetë dhe fryte reale të saj, e jo spektakle mediatike, që i kanë mërzitur, varfëruar dhe larguar masivisht nga atdheu, dhe jo këmbimin e ministrave me zëvendës ministrat e tyre, që janë po aq përgjegjës për mungesën e rezultateve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG