Lidhje

SHBA: Mbyllja e pjesshme e qeverisë hyn në ditën e nëntë


Është dita e nëntë e mbylljes së qeverisë dhe duket se kjo gjendje do të vazhdojë, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump vazhdon të theksojë nevojën për një mur mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

"Unë jam në Shtëpinë e Bardhë duke pritur që demokratët të vijnë dhe të arrijmë një marrëveshje mbi Sigurinë Kufitare", shkroi Trump. "Nga ajo që dëgjoj, ata po shpenzojnë shumë kohë për Ngacmimin Presidencial dhe kanë pak kohë për gjëra të tilla si ndalimin e krimit dhe ushtrinë tonë!"

Mosmarrëveshja për buxhetin vazhdon mes zotit Trump, që kërkon 5 miliardë dollarë për fondin për murin dhe ligjvënësve demokratë që mbështesin një rritje modeste të fondeve për sigurinë e kufijve, por kundërshtojnë me forcë ndërtimin e murit.

Megjithëse është e paqartë, referenca e ngacmimeve për të cilat shkruan presidenti, mund të jetë në lidhje me informacionin që ai jep në një postim të dytë në Twitter. Ai duket se akuzon Prokurorin e Posaçëm Robert Mueller për fshirjen e "përafërsisht 19,000 mesazheve të shkruar mes ish-hetuesve të FBI-së Lisa Page dhe Peter Strzok. Mesazhet shkëmbyera mes të dyve ishin kritike ndaj Trumpit gjatë fushatës presidenciale 2016.

Një hetim i kohëve të fundit nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë arriti në përfundimin se mesazhet me tekst janë rikuperuar dhe që tekstet mungonin për shkak të një dështimi teknik nga një mjet i regjistrimit automatik nga FBI-ja.

Presidenti Donald Trump, kërcënoi përsëri të premten të mbyllë kufirin SHBA-Meksikë dhe të shkurtojë ndihmat për Hondurasin, Guatemalën dhe El Salvadorin nëse Kongresi nuk i jep fonde për të financuar ndërtimin e murit.

Në një seri postimesh në Twitter, presidenti Trump kërkoi gjithashtu të ndryshohen “ligjet qesharake të imigracionit që rëndojnë vendin".

Komentet vijnë pasi qeveria amerikane hyn në ditën e tetë të një mbylljeje të pjesshme, për shkak të mosmarrëveshjes mes presidentit Trump, i cili kërkon 5 miliardë dollarë për ndërtimin e murit dhe ligjvënësve demokratë, të cilët mbështesin një rritje modeste në financimin e përgjithshëm të sigurisë kufitare, por kundërshtojnë me vendosmëri ndërtimin e një muri .

Sipas zyrës së Përfaqësuesit Amerikan të Tregëtisë, mbyllja e kufirit ShBA-Meksikë do të sillte ndërprerjen e një marrëdhënie tregtare prej 1.68 miliardë dollarëve në ditë në mes të dy vendeve.

https://www.voanews.com/a/thousands-of-us-soldiers-spending-thanksgiving-day-on-duty-at-southern-border/4669376.html

Mbrojtësit e imigrantëve e kanë quajtur lëvizjen për të mbyllur kufirin “të turpshme”.

Trumpi nuk ka pranuar të komentojë nëse ai mund të pranojë më pak se 5 miliardë dollarë për financimin e murit. Kur u pyet të mërkurën se sa kohë mendon se do të zgjasë mbyllja e qeverisë, Trumpi u tha gazetarëve, "Sado që të nevojitet".

Demokratët kanë fajësuar presidentin Trump për "zhytjen e vendit në kaos" duke shtuar se, javë më parë, Trumpi tha se do të ishte "krenar" të "fajësohej" për një mbyllje të qeverisë për shkak të financimit për murin kufitar.

Udhëheqësi i pakicës në Senat Chuck Schumer dhe kryetarja e ardhshme e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, thanë në një deklaratë të përbashkët: "Presidenti donte mbylljen, por nuk duket të dijë si të dalë nga ajo."

Shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mick Mulvaney, i tha të premten kanalit Fox News, "Ne jemi këtu, dhe ata e dinë se ku mund të na gjejnë."

Mulvaney fajësoi demokratët për vazhdimin e mbylljes së qeverisë , duke thënë se demokratët nuk kanë pranuar të negociojnë që kur Shtëpia e Bardhë bëri një ofertë fundjavën e kaluar.

Lorella Praeli, zëvendës drejtore politike në Bashkimin Amerikan për Liritë Civile, tha në një deklaratë se Kongresi ka detyrimin të shërbejë si një kontrollues mbi degën e ekzekutivit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG